Vendosni fjalën kyçe....

Donald Trump zgjat armëpushimin tarifor me Kinën për 90 ditë



Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për zgjatjen e armëpushimit tarifor me Kinën për 90 ditë të tjera, vetëm disa orë para skadimit të afatit për vendosjen e tarifave të reja treshifrore ndaj mallrave kineze, përcjell REL.

Ky armëpushim parandalon aplikimin e tarifave amerikane deri në 145% dhe tarifave kineze deri në 125%, të cilat do të kishin shkaktuar një embargo virtuale tregtare mes dy fuqive ekonomike.

Në një konferencë për media, Trump tha se marrëdhëniet me presidentin kinez Xi Jinping janë “shumë të mira” dhe se është optimist për negociatat në vazhdim. Ai gjithashtu u kërkoi autoriteteve kineze të rrisin katërfish blerjet e sojës amerikane.

Tarifat aktuale amerikane ndaj importit nga Kina janë në nivelin 30%, përfshirë tarifën bazë 10% dhe një shtesë prej 20% të vendosur më parë këtë vit. Kina ka ulur tarifat ndaj importeve amerikane në 10%.

Armëpushimi tarifor ishte arritur pas bisedimeve në Gjenevë në maj dhe u rinovua pas takimeve të fundit në Suedi në fund të korrikut, megjithëse pa një marrëveshje të re.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka shprehur optimizëm për rrugën e ardhshme në negociata.