
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj ndërprerjes dhe bllokimit të transmetimit të News24, duke e quajtur veprimin një “agresion banditesk” nga ana e qeverisë.
Ai kujtoi se ky është televizioni i tretë që, sipas tij, bëhet viktimë e qeverisë Rama, duke e krahasuar situatën me periudhën e errët të regjimit komunist dhe duke përmendur rastin e disidentit Havzi Nela.
Berisha theksoi se rrethimi i ndërtesës ku operon News24 dhe ndërprerja e sinjalit nuk kanë asnjë bazë ligjore.
Sipas tij, kontrata e qirasë për ambientet ku ndodhet televizioni është e vlefshme deri në vitin 2033, ndërsa për pjesën tjetër të ndërtesës, ku ndodhen media të tjera të Focus Group, qiraja është paguar deri në muajin korrik.
“News24 dhe Focus Media Group ishin nga të paktat media shqiptare që ruanin pavarësinë në lajme, debate dhe investigime. Ky ekip tronditi me emisionet e tij Edi Ramën dhe organizatën e tij kriminale”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se veprimet e ndërmarra ndaj televizionit përbëjnë një atentat të rëndë ndaj fjalës së lirë dhe një përpjekje për të mbyllur çdo zë të pavarur kritik ndaj qeverisë.
“Dënoj me forcën më të madhe në emër të PD këto akte tiranike dhe kërkoj rikthimin e menjëhershëm të sinjalit dhe veprimtarisë normale të gazetarëve dhe punonjësve të News24 dhe mediave të tjera të këtij grupi”, u shpreh Berisha.