
Një zjarr i madh në veriperëndim të Los Anxhelosit ka detyruar mijëra banorë të evakuohen të premten, pasi temperaturat ekstreme dhe thatësira kanë nxitur përhapjen e shpejtë të flakëve, përcjell BBC.
Zjarri, i quajtur “Canyon Fire”, shpërtheu të enjten pasdite në kufirin mes qarqeve Ventura dhe Los Angeles. Brenda 24 orëve, sipërfaqja e djegur u rrit nga 30 në afro 5,400 hektarë.
Të shtunën mbrëma, falë kushteve më të favorshme të motit, zjarrfikësit arritën të vendosin nën kontroll rreth 28% të perimetrit të zjarrit, duke lejuar heqjen e urdhrave dhe paralajmërimeve për evakuim.
Megjithatë, mbrëmjen e së premtes ndodhi një incident i rëndë kur një zjarrfikës pësoi lëndime serioze. James Agee, pjesëtar i Shërbimit Zjarrfikës të qarkut Kern, po drejtonte një automjet “pick-up” kur humbi kontrollin dhe u rrëzua nga një kodër e pjerrët. Ai u transportua me helikopter drejt spitalit dhe po trajtohet për plagë të rënda. Shefi i zjarrfikësve të qarkut, Aaron Duncan, tha se Agee “është një njeri i fortë me një zemër të madhe” dhe se po e përballon sfidën me të njëjtin kurajë që ka treguar gjatë gjithë karrierës së tij.
Në betejën kundër “Canyon Fire” janë angazhuar mbi 1,100 forca, ndërsa fluturime monitorimi me kamera infra të kuqe po identifikojnë zonat ku zjarri është ende aktiv. Autoritetet paralajmërojnë se, me temperaturat që pritet të arrijnë deri në 37.7°C në ditët e ardhshme, rreziku mbetet i lartë dhe banorët duhet të jenë të gatshëm për çdo urdhër evakuimi.
Zjarri ka prekur veçanërisht qytetin Santa Clarita dhe zonat përreth, ku autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të mos afrohen në zonat e përfshira nga flakët.
“Canyon Fire” është vetëm një nga disa zjarre aktive në Kaliforni. “Gifford Fire”, më i madhi aktualisht, ka përfshirë rreth 100,000 hektarë në qarqet San Luis Obispo dhe Santa Barbara. Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po e bëjnë sezonin e zjarreve gjithnjë e më të gjatë dhe më shkatërrimtar.