
Një tërmet me magnitudë 6.1 goditi të dielën provincën veriperëndimore të Balikesirit në Turqi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe rënien e disa ndërtesave. Autoritetet thanë se të paktën dy persona mbeten të bllokuar nën rrënojat e një ndërtese të shembur, përcjell AP.
Epiqendra e tërmetit ishte në qytetin Sindirgi, ndërsa dridhjet u ndjenë deri në Stamboll, rreth 200 kilometra larg, një nga qytetet më të mëdha në botë me mbi 16 milion banorë.
Kryetari i Sindirgit, Serkan Sak, u shpreh për televizionin kombëtar HaberTurk se katër persona u shpëtuan nga rrënojat, ndërsa ekipet e shpëtimit po përpiqeshin të arrinin dy persona të tjerë që mbetën të bllokuar.
Në fshatin pranë, Golcuk, u shembën disa shtëpi dhe minarja e një xhamie ra, duke shkaktuar dëme të tjera.
Ministri i Shëndetësisë, Kemal Memisoglu, deklaroi në rrjetin social X se katër persona po trajtohen në spital, por asnjëri prej tyre nuk është në gjendje kritike.
Kryetari i provincës Balikesir, Ahmet Akin, shprehu shpresën që të gjithë të kalojnë këtë situatë pa humbje jete.
Agjencia Turke për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave njoftoi se pas tërmetit ndodhën edhe disa pasdridhje, përfshirë një me magnitudë 4.6, dhe bëri thirrje që qytetarët të mos hyjnë në ndërtesa të dëmtuara për shkak të rrezikut.