Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Ndërtimet pa leje nuk do amnistohen, “Rilindja Urbane 2.0” do të zgjasë 4 vjet


Kryeministri Edi Rama komentoi ndërtimet pa leje duke theksuar se shteti ka përgjegjësitë e veta, por shkelësit e ligjit nuk do të amnistohen.

Ai theksoi se kthimi në gjendjen e mëparshme të hapësirave po realizohet kryesisht në objekte të çmontueshme, ndërsa ku ka ndërtime më të forta si me tulla dhe beton, puna kërkon më shumë kohë, por nuk janë shumë raste të tilla.

“Kjo është vetëm faza e parë e programit të ri ‘Rilindja Urbane 2.0’. Do të krijojmë cilësi, proces që do të marrë kohë, por do të rikthejmë hapësira publike cilësore.

Njësive të shërbimit do t’u japim mundësinë të rikthehen brenda vilave me kufijtë e përcaktuar dhe detyrime të qarta, ndaj të cilave do të kenë edhe disa të drejta,” tha Rama.

Ai shtoi se shteti është ndërtim dhe se përgjegjësia e shtetit nuk amniston shkelësit e ligjit. “Nuk mund të thuash ‘po hedh beton dhe s’më kapet, s’ke çfarë më bën’,” u shpreh kryeministri.

Duke u përgjigjur për idenë që ndërtuesit pa leje duhet të përfundojnë në burg, Rama tha se këtë e vendos drejtësia, e cila vepron mbi fakte dhe prova.

“‘Merri e futi në burg’ është një shprehje që nuk i përket rendit demokratik, por kur ka fakte dhe prova, çdo shkelës do të përballet me drejtësinë,” përfundoi ai.

Kryeministri paralajmëroi një “shkundje” në strukturat e kontrollit të territorit, duke filluar nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe policitë bashkiake.

Ai theksoi nevojën për një përshkallëzim të valës së lëvizjeve edhe në këto struktura, në mënyrë që të kalojnë në një nivel tjetër funksionimi.

“Tani kemi ngritur thuajse plotësisht bazën vizuale mbi territorin e qyteteve të mëdha që preken nga ndërtimet e paligjshme. Por do të jetë teknologjia në qendër të këtij procesi,” tha Rama.

Rama theksoi se “Rilindja Urbane 2.0” nuk është një aksion i përkohshëm veror, por një program katërvjeçar dhe proces konstant për përmirësimin e hapësirave urbane.

Ai iu përgjigj kritikave që kërkonin të shtyhej ky aksion për dimër, duke thënë se nuk do të ishte e mundur.

Për turizmin, Rama tha se një pjesë e industrisë nuk po mendon strategjikisht, por po vepron me mentalitetin “kap ça të kapësh”, gjë që dëmton investimet dhe çon në çmime të larta që e bëjnë Shqipërinë më të shtrenjtë.

Ai paralajmëroi edhe masa radikale për plazhet, duke theksuar se megjithë hapa të ndërmarra këtë vit, ato nuk janë të mjaftueshme.

Për më tepër, kryeministri nënvizoi domosdoshmërinë e një “shkundjeje” në bashkitë dhe forcimin e pushtetit vendor për të përballuar këto sfida.