
Vetëm pak orë pasi mbajti një konferencë për shtyp me median e huaj në Jerusalem, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu doli të dielën mbrëma edhe para gazetarëve vendas – për herë të parë që nga fillimi i luftës me Iranin. Në sfond qëndron një “tsunami diplomatik” kundër Izraelit, vendimi i kabinetit për të marrë kontrollin e të gjithë Rripit të Gazës dhe njoftimet e disa vendeve perëndimore për njohjen e shtetit palestinez në shtator, përcjell YNetNews.
Netanyahu deklaroi se të enjten kabineti “mori një vendim dramatik për të mposhtur Hamasin”, pasi forcat izraelite kishin marrë nën kontroll 75% të territorit të Gazës si pjesë e Operacionit “Qerret e Gideonit”. Ai tha se ushtria është urdhëruar të kalojë në “fazën e fitores vendimtare”, duke marrë nën kontroll edhe bastionet e fundit të Hamasit, sidomos në qytetin e Gazës, që ai e përshkroi si “kryeqyteti i terrorit” dhe selinë komanduese të organizatës.
Kryeministri theksoi se IDF do të lejojë civilët në qytetin e Gazës të evakuohen nga zonat e luftimeve, duke ofruar korridore të sigurta dhe ndihmë humanitare, ashtu siç është vepruar më herët në Khan Younis, Rafah dhe Deir al-Balah.
Duke folur për negociatat me Hamasin, Netanyahu tha se pas muajsh bisedimesh pa rezultat, është bërë e qartë se grupi “nuk dëshiron një marrëveshje” dhe ka vendosur kushte të papranueshme, si: tërheqje e plotë nga Gaza, përfshirë Korridorin e Filadelfisë, lirimi i të dënuarve për vrasje dhe garanci ndërkombëtare që do t’i ndalonin forcat izraelite të riktheheshin. “Këto janë kushte kapitullimi që asnjë qeveri përgjegjëse nuk do t’i pranonte,” tha ai.
Netanyahu shtoi se strategjitë alternative, si rrethimi i Hamasit dhe kryerja e inkursioneve, nuk do të sillnin fitoren përfundimtare dhe as kthimin e pengjeve. Sipas tij, në rrugën që ka ndjekur deri tani janë liruar 205 nga 255 pengje, prej të cilëve 248 janë gjallë. Ai u zotua se do të punojë për kthimin e 20 pengjeve që janë gjallë dhe të 30 të tjerëve që kanë humbur jetën.
Në mbyllje, Netanyahu e quajti situatën një “kryqëzim historik”, duke pretenduar se Izraeli ka “thyer boshtin iranian”, ka goditur Hezbollahun dhe se qeveria po punon për çarmatosjen e tij.