Vendosni fjalën kyçe....

Meksika akuzon Adidas për plagjiaturë ndaj artizanëve vendorë



Autoritetet meksikane akuzojnë Adidas për plagjiaturë ndaj artizanëve vendorë, duke pretenduar se një model i ri sandalesh të kompanisë kopjon në mënyrë të qartë këpucët tradicionale indigjene të njohura si huaraches, përcjell AP.

Kjo ngjarje ka nxitur akuza për aproprim kulturor ndaj markës së sportit, ndërsa autoritetet lokale kërkojnë tërheqjen e këtij modeli nga tregu. Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, njoftoi se Adidas po negocion me autoritetet e shtetit jugor Oaxaca për të dhënë kompensim për komunitetet e prekura, ndërsa qeveria përgatit reforma ligjore për të mbrojtur artizanatin tradicional nga kopjimi.

Modeli në qendër të polemikës është “Oaxaca Slip-On”, krijuar nga dizajneri amerikan Willy Chavarría për Adidas Originals. Sandalet kanë rripa të hollë lëkure të thurura në stilin karakteristik të huaraches, por me sole më të trashë dhe sportive në vend të soleve të sheshta tradicionale.

Autoritetet theksojnë se dizajni i Adidas përmban elementë të trashëgimisë kulturore të komuniteteve indigjene Zapotek në Oaxaca, veçanërisht në fshatin Villa Hidalgo de Yalálag. Industria e artizanatit është një burim i rëndësishëm ekonomie për rreth gjysmën e milionë njerëzve në vend dhe përbën rreth 10% të produktit të brendshëm bruto të shteteve si Oaxaca, Jalisco, Michoacán dhe Guerrero.