Vendosni fjalën kyçe....

Luciano Boçi: Rrethimi i News24 është vrasje shtetërore e fjalës së lirë


Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, ka reaguar ashpër ndaj ndërprerjes së sinjalit të televizionit News24, duke e cilësuar këtë si një akt arbitrar dhe autoritar, që shënjestron median e lirë dhe mesazhin e saj.

Në një postim në Facebook, Boçi e ka quajtur “rrethimin e News24” një formë vrasjeje shtetërore të fjalës së lirë, duke e krahasuar me mbylljen e “Agon Channel” dhe pasojat financiare që solli ndjekja penale e themeluesit të saj, Francesco Becchetti.

Veprimet janë të njëjta: shtypje e fjalës së lirë, dhunë ligjore dhe uzurpim i medias, pa respektuar vendimet e gjykatave,” – shkruan Boçi, duke theksuar se ky nuk është një incident i izoluar, por një vazhdimësi e një strategjie për të nënshtruar median.

Sipas tij, gjatë qeverisjes së Edi Ramës, janë përdorur metoda të tilla si kapja e televizioneve përmes financave, shpërndarja selektive e reklamave shtetërore, gjobat dhe ligje si “Paketa Anti-Shpifje” për të frenuar portale të pavarura, si dhe sulmet publike ndaj gazetarëve, të cilët kryeministri i ka quajtur “kazanë” dhe “plehra”.

Boçi e cilëson rrethimin e një redaksie si një “mesazh kërcënues” për çdo gazetar dhe media që guxon të jetë kritike: “Kush nuk hesht, do të përballet me forcën. Kur një media izolohet fizikisht, nuk rrethohet vetëm një ndërtesë, por rrethohet vetë e vërteta.”

Ai kujton se raportet e “Reporterëve pa Kufij” tregojnë rënie të Shqipërisë në renditjen e lirisë së shtypit dhe paralajmëron se pas News24 mund të goditet çdo zë tjetër kritik.

Në një vend ku media rrethohet ka triumfuar diktatura. Fjalën e lirë nuk e mbron vetëm gazetari, por çdo qytetar që nuk pranon të jetojë në errësirë,” – përfundon Boçi.

 

Postimi:

RRETHIMI I NEWS24 ËSHTË VRASJE SHTETËRORE E FJALËS SË LIRË

 

Një shoqëri demokratike matet jo nga fjalët e bukura të politikanëve, por nga mënyra se si trajton median e lirë.

Rrethimi i News24 është një sinjal i fundit se në Shqipëri, pushteti është gati të përdorë metoda brutale për të mbyllur zërat kritikë e vrarë lirinë e fjalës.

Ky nuk është një incident i izoluar apo masë institucionale. Është ekzekutim publik. Është vazhdimësi e një strategjie të qëndrueshme për të nënshtruar median.

Në vitet e qeverisjes së Edi Ramës, kemi parë kapjen e televizioneve përmes financave, shpërndarjen selektive të reklamave shtetërore, përdorimin e gjobave dhe ligjeve si “Paketa Anti-Shpifje” për të frenuar portale të pavarura.

Kemi parë sulme e mbyllje si me “Agon Channel”.

E çfarë nuk kemi parë!!?

Ndërkohë, kryeministri ka sulmuar publikisht gazetarët, duke i quajtur “kazanë” dhe “plehra”.

Kjo retorikë nuk është thjesht denigruese. Është një strategji për t’i delegjitimuar në sytë e publikut, për t’i linçuar, duke krijuar një klimë ku presioni ndaj tyre duket i pranueshëm.

Rrethimi i një redaksie është një akt i rëndë, që shkon përtej presionit mediatik.

Është një mesazh kërcënues për çdo gazetar dhe çdo media: “Kush nuk hesht, do të përballet me forcën”.

Dhe kur një media izolohet fizikisht, nuk rrethohet vetëm një ndërtesë por rrethohet vetë e vërteta.

Raportet e “Reporterëve pa Kufij” tregojnë se Shqipëria ka rënë ndjeshëm në renditjen e lirisë së shtypit. Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave dhe veprimeve që kanë mbytur hapësirën për fjalën e lirë.

Sot është News24.

Nesër mund të jetë çdo zë tjetër që guxon të pyesë dhe të kritikojë.

Në një vend ku media rrethohet ka triumfuar diktatura.

Nëse qytetarët heshtin përballë kësaj, atëherë heshtja do të bëhet norma dhe propaganda do të jetë e vetmja gjuhë publike.

Fjalën e lirë nuk e mbron vetëm gazetari.

E mbron çdo qytetar që nuk pranon të jetojë në errësirë.