
Organizata ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij” (RSF) ka reaguar pas rrethimit të televizionit News24, ku forcat e policisë dhe përfaqësues të shoqërisë “Kayo” ndërprenë sinjalin e transmetimit dhe penguan funksionimin e mediave të tjera të grupit.
Në reagimin e saj, RSF e cilëson këtë veprim si një pengim të së drejtës për t’u informuar dhe kërkon që situata të marrë fund menjëherë, në mënyrë që transmetimi të rifillojë.
“ Në kontekstin e një mosmarrëveshjeje pronësore që përfshin një kompani shtetërore, policia ka ndërprerë energjinë elektrike në ambientet e Focus Media Group dhe u ka penguar gazetarëve hyrjen. Ky është një pengim i papranueshëm ndaj së drejtës për të informuar,” thuhet në reagim.
RSF apelon që autoritetet të garantojnë menjëherë lirinë e medias dhe ushtrimin e punës së gazetarëve pa pengesa.
#Albania: In the context of a property dispute involving a state-owned company, the police have cut off electricity to Focus Media Group’s premises & prevented its journalists from accessing it. RSF condemns this obstruction to the right to inform, which must end now so that broadcasting can resume.
— RSF (@rsf.org) August 9, 2025 at 4:08 PM