Gazetari Osman Stafa ka reaguar në rrjetet sociale duke e cilësuar “pengmarrje të pastër” situatën e krijuar ndaj godinës së Panorama TV. Sipas tij, televizioni ka një kontratë qiraje të vlefshme deri në vitin 2033, por megjithatë godina është “uzurpuar”, i është ndërprerë sinjali dhe energjia elektrike, duke e quajtur këtë veprim “skandaloz” dhe “diktaturë”.
Postimi:
SHIKONI ÇFARË PO NDODH!!!
Dokumenti i mëposhtëm tregon hartën (e rrethuar me të kuqe) se ku ndodhet godina e Panorama TV.
Kjo godinë, (shih dokumentin tjetër), ka një kontratë qiraje deri në vitin 2033.
Kjo është pengmarrje e pastër që sot i bëhet kësaj mediaje. Pra, në këto kushte, gazetarët duhet të hynin e dilnin pa asnjë problem në këtë godinë.
Por godina e Panorama TV, jo vetëm është uzurpuar, por i është hequr sinjali, dhe i është hequr energjia elektrike.
Kjo është skandaloze.
Godina e një televizioni po mbahet peng, pa ligj.
Kjo është diktaturë.


Edhe avokati Marash Logu, në një ripostim, ka ngritur dyshime mbi ligjshmërinë e ndërhyrjes. Ai tha se prona ku ndodhet Panorama TV nuk përfshihet në VKM nr. 158/2025, që i kalon disa prona shoqërisë “KAYO” sh.a., e drejtuar nga Ardi Veliu. Logu akuzon se aksioni i mbështetur nga Policia e Shtetit nuk ka të bëjë me çështje pronësie apo kontratash, por synon “censurën dhe mbylljen e gojës së gazetarëve të News24”.
Postimi:
Po për këtë ka ndonjë përgjigje Avokatura e Shtetit: Panorama Group sh.a., ka një kontratë qiraje për shfrytëzimin e pronës me nr. 10/304, Zona Kadastrale 8170, me sipërfaqe 15 mijë m², nga të cilat 5858 m² ndërtesë, të vlefshme deri në datën 09.05.2033, me vlerë mujore të qirasë 15 mijë euro. VKM-ja nr. 158/2025 që i ka kaluar shoqërisë “KAYO” sh.a., 4 prona në Zonën Kadastrale 8170, në fakt nuk e përfshin pasurinë me nr. 10/304. Atëherë pse duhet që shoqëria “KAYO” sh.a., e drejtuar nga Ardi Veliu, me mbështetjen e Policisë së Shtetit, të nxjerrë nga godina gazetarët, të ndëpresë sinjalin dhe sekuestrojë pajisjet, ndërkohë që Panorama Group sh.a., ka një kontratë qiraje në fuqi për pronën nr. 10/304, e cila nuk i është kaluar në pronësi shoqërisë “KAYO”?! Ka vetëm një përgjigje në fakt. Ky aksion nuk ka të bëjë me ligjshmërinë, marrëdhëniet kontraktuale, pronën shtetërore apo aktivitetin e shoqërisë KAYO, por synon censurën, mbylljen e gojës dhe shuarjen e zërit të gazetarëve të News24.
