Vendosni fjalën kyçe....

Maqedonia e Veriut do të mbajë zgjedhjet lokale më 19 tetor



Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka shpallur zyrtarisht datën e zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor, ndërsa raundi i dytë do të zhvillohet më 2 nëntor. Vendimi i kryeparlamentarit është dërguar tashmë te organet përgjegjëse për organizimin dhe zbatimin e procesit zgjedhor.

Pas shpalljes së zgjedhjeve, Kuvendi do të vazhdojë funksionimin administrativ, por nuk do të mbahen seanca plenare për të shmangur keqpërdorimin e foltores për çështje elektorale.

Gashi u ka bërë thirrje partive politike dhe kandidatëve që të tregojnë kulturë të lartë politike, të shmangin gjuhën përçarëse dhe presionet, duke u fokusuar tek qytetarët dhe zgjidhjet konkrete për problemet e tyre.

“Këto zgjedhje janë një mundësi për forcimin e demokracisë dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë. Pres një proces të ndershëm, dinjitoz dhe në përputhje me standardet europiane,” tha ai.

Në këtë proces, qytetarët do të zgjedhin 80 kryetarë komunash dhe këshillat përkatës, si dhe kryetarin e Bashkisë së Shkupit.