
Pika e kalimit kufitar të Kapshticës ka regjistruar sot një fluks të madh hyrjesh nga Greqia drejt Shqipërisë, me radhë automjetesh në kolonë. Pala shqiptare ka hapur katër sportele në hyrje dhe dy në dalje, duke aplikuar procedura të përshpejtuara për të shmangur pritjet.
“Po vij nga Selaniku me nipërit dhe po shkoj në Korçë. Pala greke punonte me dy sportele dhe kalova për dy minuta, s’pati probleme. Do rri të bëj Shën Mërinë dhe do kthehem,” u shpreh një emigrant korçar.
Nga pala greke, katër sportele në dalje nuk kanë mjaftuar për të shmangur ngarkesën, për shkak të numrit të madh të emigrantëve shqiptarë që po kthehen për pushime verore.
Sipas të dhënave zyrtare, më 8 gusht 2025, në Kapshticë kanë hyrë 6,242 shtetas dhe kanë dalë 3,557. Edhe në Qafë-Thanë fluksi ka qenë i lartë, me 5,248 hyrje dhe 5,073 dalje.
Autoritetet kufitare u bëjnë apel udhëtarëve të planifikojnë udhëtimet në orare më pak të ngarkuara, për të shmangur vonesat.