Vendosni fjalën kyçe....

Banka e Shqipërisë “hap derën” për Ziraat


Banka e Shqipërisë licencoi në muajin gusht bankën më të madhe në Turqi, Ziraat, për të nisur aktivitetin në Shqipëri. Ziraat do të licencohet fillimisht si degë e bankës mëmë në Turqi.

Licencimi i Ziraat përfaqëson një pikë të rëndësishme kthese për strukturën e tregut bankar në vend. Që nga viti 2015 e në vazhdim, sektori bankar në Shqipëri ka ndjekur një cikël konsolidimi dhe përqendrimi.

Mes viteve 2015 dhe 2022, numri i bankave tregtare në vend u ul nga 16 në 11. Me licencimin e Ziraat, numri i bankave në treg do të rritet përsëri.

Ky është i pari licencim i një banke të re tregtare në Shqipëri prej afërsisht 20 vjetësh. Licenca e fundit për aktivitet bankar në Shqipëri ishte dhënë në fillim të vitit 2006, për bankën me kapital vendas, Union Bank.

Ziraat do të bëhet banka e dytë me kapital turk në Shqipëri, pas bankës më të madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare (BKT), zotëruar nga grupi turk i biznesit, Çalik.

Megjithatë, ndryshe nga Çalik, Ziraat është një investitor institucional i specializuar në sektorin bankar.

Hyrja në treg e Ziraat dëshmon rritjen e interesit për sektorin bankar në Shqipëri, në vijim të një cikli pozitiv disavjeçar, që po shoqërohet me ritme të larta të rritjes së kredisë dhe përmirësim të treguesve të përfitueshmërisë.

Duke qenë një bankë me kapital shtetëror, hyrja e Ziraat në Shqipëri mund të lexohet edhe në këndvështrimin e interesit gjeopolitik të Turqisë për të rikthyer ndikimin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ziraat, banka më e madhe në Turqi

Ziraat Bank (në turqisht Banka Bujqësore) është bankë me kapital shtetëror turk. 100% e aksioneve zotërohen nga Fondi Turk i Pasurisë, fond publik në pronësi të shtetit të Turqisë. Ziraat e ka origjinën që në shekullin e 19-të, në epokën e Perandorisë Osmane.

Ajo u themelua në vitin 1863, fillimisht si një fond kooperativ për financimin e bujqësisë, ndërsa në vitin 1888 u shndërrua zyrtarisht në bankë, me emrin që mban edhe sot, Ziraat.

Aktualisht, Ziraat Bank është banka më e madhe në Turqi, ku mban afërsisht 16.5% të tregut, me asete totale për një vlerë prej rreth 133 miliardë USD, në fund të vitit 2024.

Në bilancin e konsoliduar, në nivel grupi (duke përfshirë edhe bankat dhe kompanitë e tjera të zotëruara prej saj brenda dhe jashtë Turqisë),

Ziraat raporton asete totale për afërsisht 147 miliardë USD. Përveç bankave dhe kompanive financiare në Turqi, Ziraat zotëron banka të kontrolluara prej saj në Gjermani, Rusi, Kazakistan, Uzbekistan, Gjeorgji, Azerbajxhan, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.

Banka turke është e pranishme me degët e saj (që nuk veprojnë si banka të ndara) dhe në Angli, Irak, Greqi, Bullgari, Arabinë Saudite, Qipron Turke, Bahrejn, ndërsa ka zyra përfaqësie edhe në Emiratet e Bashkuar Arabe dhe në Egjipt.

Të dhënat e mësipërme tregojnë se Ziraat është e pranishme edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pas Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës, zgjerimi në Shqipëri duket si një hap i mëtejshëm në strategjinë e pranisë rajonale.

Ziraat Bank është e pranishme prej vitit 2015 edhe në tregun bankar të Kosovës, me pesë degë gjithsej.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Shoqata e Bankave të Kosovës, në fund të 3-mujorit të parë 2025, Ziraat Bank zotëronte 1.7% të tregut të Kosovës, për një total aktivesh prej afërsisht 143 milionë eurosh.

Pjesa e Ziraat ishte pak më e lartë në tregun e kredisë, me 1.9% të portofolit total të sektorit bankar në Kosovë në fund të periudhës së mësipërme.

Më herët këtë vit, Banka Qendrore e Kosovës miratoi shndërrimin e Ziraat Bank – Dega në Kosovë, nga degë e një banke të huaj në një bankë të licencuar dhe themeluar në Kosovë, me emrin Ziraat Kosova Sh.a.

Izraelitët duan të ngrenë bankën e parë dixhitale

Licencimi i Ziraat, me shumë mundësi, nuk do të jetë i fundit në atë që duket të jetë një cikël i ri i rritjes së numrit të subjekteve në tregun bankar.

Në Bankën e Shqipërisë është paraqitur zyrtarisht shprehja e interesit nga një grup investitorësh izraelitë të përfaqësuar nga Gal Bar Dea, që deri para pak muajsh mbante detyrën e drejtorit të përgjithshëm One Zero Digital Bank.

Aplikimi në fjalë nuk është finalizuar ende, por megjithatë, burime nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se subjekti në fjalë është në fazën e plotësimit të dokumentacionit.

Besohet se modeli që investitorët izraelitë duan të ndërtojnë në Shqipëri është i ngjashëm me bankën dixhitale One Zero Digital Bank, e ngritur në vitin 2019.

One Zero është një bankë relativisht e re, e themeluar në vitin 2019, si e para bankë dixhitale në Izrael, por shumë shpejt ka shfaqur plane ambicioze zgjerimi edhe në tregje të tjera, duke përfshirë edhe një projekt të përbashkët për ngritjen e një banke dixhitale në Itali, në bashkëpunim me bankën italiane, Banca Generali.

Megjithatë, mjedisi i pafavorshëm gjeopolitik dhe tensionet e larta në Lindjen e Mesme kanë bërë që për momentin, banka izraelite t’i pezullojë planet e zgjerimit në tregjet e huaja.

Ish-drejtori i përgjithshëm, Gal Bar Dea, u largua pikërisht për shkak të tërheqjes së One Zero nga strategjia e zgjerimit ndërkombëtar dhe duket se interesi për të hyrë në Shqipëri është pjesë e përpjekjeve për të ndërtuar një model të ngjashëm të bankingut dixhital në vende të tjera, por në mënyrë të pavarur nga One Zero./Monitor