
Policia ka rrethuar mëngjesin e sotëm godinën e News24, duke ndërprerë me forcë dhe pa paralajmërim sinjalin e transmetimit. Punonjësit e medias janë penguar të hyjnë në ambientet e tyre të punës, ndërsa qytetarët janë privuar nga kanali më i madh dhe më i besueshëm informativ në vend.
Drejtoresha e News24, Anila Jola, u shpreh e përlotur për situatën e krijuar, duke theksuar se ky është një akt arbitrar dhe abuziv.
Jola shtoi se 230 punonjësit e televizionit dhe familjet e tyre kanë mbetur pa punë dhe të ardhura, duke e cilësuar këtë situatë si ngjarjen më të dhimbshme të viteve të fundit.
“Ështe një situatë qe nuk mund ta përshkruaj, jam zgjuar me telefonatën që që në orën 6 këtu kishte ardhur policia. Erdhëm bashkë me kolegët por nuk u lejuam të hynim brenda dhe të vijonte transmetimi.
News24 është rrethuar nga policia dhe gjithçka ndodhi pa një njoftim paraprak, si të ishim një kioskë e thjeshtë. Ishte vendim arbitrar abuziv i papritur dhe nuk u lejuam të hynim në vendin e punës si të ishim kriminelë jo punonjës kaq vjeçarë të News24.
Nuk e përfytyroj dot këtë që po ndodh me median më të besueshme për shqiptarët. Lokalet kishin lënë ekranin e bardhë, me shpresën se ka ndonjë difekt.
Shikuesit shpresojnë që ne do të rikthehemi. Ndoshta duhet të presim të hënën që të nisin punën gjykatat dhe të japë një vendim shpresojmë në favorin tonë.
Ngjarja më e dhimbshme që ndodh në këto vite punë. 230 punonjës që në këtë moment janë në rrugë. 230 familjeve u janë prerë të ardhurat”, tha ajo.