Vendosni fjalën kyçe....

Zjarret në Finiq drejt shuarjes, situata po normalizohet


Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se situata në Finiq po shkon drejt normalizimit, pas një operacioni të gjerë dhe të koordinuar për shuarjen e vatrave të zjarrit që përfshinë zonën.

Falë ndërhyrjes ajrore me helikopter të Forcës Ajrore dhe angazhimit të pandërprerë nga toka, flakët janë vënë nën kontroll. Në terren morën pjesë 28 efektivë me 8 mjete zjarrfikëse nga shërbimet e Mbrojtjes nga Zjarri të bashkive Finiq, Sarandë, Delvinë, Konispol, Gjirokastër dhe Dropull, 30 trupa të Forcave të Armatosura me 3 mjete zjarrfikëse, si dhe 5 punonjës të shërbimit pyjor dhe 40 vullnetarë.

Aktualisht, puna po vijon për të shuar plotësisht çdo vatër që mund të riaktivizohet, veçanërisht në fshatrat Dhivër, Shëndre dhe Cerkovicë. Banorët në këto zona kanë nisur të kthehen gradualisht në shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë për çdo emergjencë të mundshme.