Vendosni fjalën kyçe....

Toyota paralajmëron humbje prej 7.1 miliardë paundësh nga tarifat e Trump, ul parashikimin e fitimit


Kompania japoneze prodhuese e makinave Toyota ka paralajmëruar se do të pësojë një goditje financiare prej 1.4 trilionë jenësh (rreth 7.1 miliardë paund) si pasojë e tarifave tregtare të vendosura nga administrata e Donald Trump.

Për shkak të këtyre tarifave dhe rritjes së çmimeve të materialeve si dhe forcimit të jenit, Toyota ka ulur parashikimin e fitimit operativ për vitin financiar që përfundon në mars 2026 me 16%, duke e zvogëluar atë nga 3.8 trilionë në 3.2 trilionë jenë, sipas The Guardian.

Tarifat e reja, që janë pjesë e një marrëveshjeje ndërmjet Japonisë dhe SHBA-së, kanë rritur normën bazë të tarifave për eksportet japoneze në SHBA nga 10% në 15%, duke zëvendësuar tarifat sektoriale më të larta që ishin deri në 27.5%.

Në tremujorin e parë të vitit, fitimi operativ i Toyota-s ra me 11% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 1.17 trilionë jenë.

Një ditë më parë, konkurrenti japonez Honda raportoi një rënie prej 50% të fitimeve, kryesisht për shkak të humbjeve nga tarifat amerikane. Industria automobilistike japoneze është nga sektorët më të goditur nga lufta tregtare, duke përbërë 8% të punësimit në vend dhe mbi një të katërtën e eksportit drejt SHBA-së.

Megjithatë, Toyota regjistroi shitje rekord në gjysmën e parë të vitit 2025, me 5.1 milionë makina të shitura, një rritje prej 5.5% krahasuar me vitin e kaluar, kryesisht falë kërkesës për makinat hibride.

Megjithatë, aksionet e kompanisë kanë rënë mbi 10% gjatë këtij viti për shkak të pasigurisë nga tarifat.

Tarifat e reja amerikane, që hyjnë në fuqi që nga 1 gushti, përfshijnë norma të ndryshme nga mbi 40% për disa vende si Siria dhe Laosi, deri në 15% për Bashkimin Evropian dhe 10% për Mbretërinë e Bashkuar.