Vendosni fjalën kyçe....

Kremlini: Është arritur marrëveshje për takimin Putin-Trump, por jo për një samit trespalësh me Zelensky-n


 

Një nga këshilltarët kryesorë të Kremlinit dhe ish-ambasadori rus në SHBA, Yuri Ushakov, deklaroi sot se është arritur “në thelb” një marrëveshje për zhvillimin e një takimi mes presidentit rus Vladimir Putin dhe ish-presidentit amerikan Donald Trump “në ditët në vijim”.

“Po nisim përgatitjet konkrete së bashku me kolegët tanë amerikanë“, tha Ushakov në një deklaratë televizive, sipas The Guardian.

Megjithatë, ai hodhi poshtë mundësinë e një samiti trespalësh me përfshirjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, ide kjo e përfolur nga zyrtarë amerikanë.

“Sa i përket një takimi trespalësh, për të cilin për ndonjë arsye Uashingtoni foli dje, kjo ishte thjesht një përmendje nga pala amerikane gjatë një takimi në Kremlin. Por kjo nuk është diskutuar. Pala ruse e ka lënë këtë opsion plotësisht pa koment,” tha Ushakov.

Kjo përbën një dallim të rëndësishëm nga deklaratat e mëparshme të Trumpit, i cili kishte sugjeruar mundësinë e një samiti me të dy liderët në përpjekje për të ndërmjetësuar një zgjidhje për luftën në Ukrainë.