
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) në Korçë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH), ka identifikuar rreth 370 subjekte që kanë zënë hapësira publike përgjatë akseve rrugore të qarkut, duke rrezikuar sigurinë rrugore dhe kombëtare.
Sipas Edi Bitrit, drejtor rajonal i IKMT Korçë, bëhet fjalë kryesisht për rrethime banesash, tabela karburanti dhe biznese që merren me servise apo automjete të çmontuara, të cilat kanë pushtuar pjesë të rrugëve. Subjektet janë paralajmëruar për çmontim vullnetar deri më 31 korrik, ndërsa prej fillimit të gushtit inspektimet janë rifilluar për të verifikuar nisjen e këtij procesi.
Në rast të mosveprimit, IKMT do të marrë masa administrative dhe do të aplikojë gjoba dhe prishje të ndërtimeve të paligjshme. Deri tani nuk është vendosur asnjë masë, por mungesa e fuqisë punëtore ka sjellë vonesa në ndërhyrje.
Shpërndarja e subjekteve sipas akseve rrugore është:
Korçë – Qafë Thanë: 239 subjekte (122 rrethime banesash, 117 biznese)
Korçë – Kapshticë: 74 subjekte (21 banesa, 53 biznese)
Korçë – Leskovik: 48 subjekte (26 banesa, 22 biznese)
Libonik – Rëmbec – Plasë: 16 subjekte (9 banesa, 7 biznese)
IKMT nxit qytetarët dhe bizneset të respektojnë ligjin për sigurinë kombëtare dhe rrugore.