
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar sot qeverinë shqiptare se ka shpenzuar mbi gjysmë miliard euro për qëllime elektorale gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 11 majit 2025.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se mijëra aktivitete dhe tendera janë zhvilluar në kundërshtim me ligjin, me qëllim ndikimin e votës së qytetarëve. Sipas tij, vetëm bashkitë kanë shpërndarë 57 milionë euro, ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka përdorur 10 milionë euro për fushatë.
“Njëri nga aspektet më kriminale të farsës elektorale të 11 majit ishte përdorimi i prokurimeve dhe aktiviteteve, me vlerë mbi gjysmë miliardi euro, për të ndikuar votën e qytetarëve shqiptarë,” u shpreh Berisha.
Ai citoi raportin e OSBE-ODIHR sipas të cilit, në periudhën janar–11 maj – gjatë së cilës ligji ndalon aktivitete që mund të ndikojnë zgjedhjet, janë organizuar rreth 4500 veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë eventin sportiv “Giro d’Italia”, për të cilin sipas tij janë paguar 7 milionë euro një organizate private, një ditë para dhe ditën e votimit.
Berisha shtoi se rreth 14 milionë euro janë përdorur në blerje të përqendruara “për qëllime elektorale”, ndërsa e akuzoi Altin Dumanin, kreun e SPAK, se ka refuzuar të hetojë këto shkelje.
“Sipas Dumanit, dokumentet zyrtare janë letra pa vlerë, sepse ai është një avokat i verbër i krimit elektoral të qeverisë dhe bashkëfajtor në farsën elektorale, njëlloj me Edi Ramën,” deklaroi Berisha.
Ai solli në vëmendje gjithashtu tenderat e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, duke përmendur një rast ku “500 milionë lekë iu dhanë djalit të një zyrtari për të bërë një manual për kuzhinën”.
Berisha përmendi si shkelje edhe “polin e festivaleve të industrisë”, një koncept që ai e quajti absurd dhe produkt të propagandës së qeverisë.
Ai e përmbylli deklaratën duke akuzuar se të gjitha këto janë dëshmi të një fushate elektorale të drejtuar nga shteti, me qëllim deformimin e vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e 11 majit.