Vendosni fjalën kyçe....

Kurti pret përfaqësuesin e BE-së, Sorensen: Avancim në integrimin e komunitetit serb dhe zbatim të marrëveshjeve



Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka pritur sot Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Në takim u diskutuan zhvillimet aktuale në vend, situata e komuniteteve joshumicë – me fokus te komuniteti serb – dhe përparimi në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

Kurti informoi përfaqësuesin evropian mbi mbështetjen financiare të ofruar për komunat me shumicë serbe, veçanërisht në veri, si dhe për arritjet në fushën e punësimit dhe zhvillimit ekonomik.

Sipas tij, që nga prilli i vitit 2024, mbi 800 qytetarë në komunat veriore janë punësuar përmes programit qeveritar “Qeveria për Familjet”, ndërsa janë regjistruar mbi 430 biznese të reja nga janari i vitit të kaluar.

Kryeministri shtoi se rreth 200 policë të rinj serbë janë bashkuar me Policinë e Kosovës pas dorëheqjes kolektive të policëve serbë në nëntor të vitit 2022, dhe se ata shërbejnë pa dallim etnie. Ai vlerësoi se nuk është regjistruar asnjë incident ndërmjet punëtorëve shqiptarë dhe serbë në dy vitet e fundit, as në sektorin privat e as në atë publik, çka sipas tij dëshmon për përkushtimin institucional ndaj integrimit të komunitetit serb.