Vendosni fjalën kyçe....

Norvegjia rishikon investimet në kompanitë izraelite për shkak të luftës në Gaza


Qeveria norvegjeze njoftoi të martën se do të ndërmarrë një rishikim të plotë të investimeve të fondit sovran më të madh në botë – me vlerë 1.9 trilionë dollarë – për të vlerësuar nëse ndonjë kompani izraelite e lidhur me luftën në Gaza apo me okupimin në Bregun Perëndimor duhet të përjashtohet, përcjell YNetNews.

Ky vendim vjen pas një raportimi të gazetës Aftenposten, e cila zbuloi se fondi kishte blerë aksione në kompaninë izraelite Beit Shemesh Engines mes viteve 2023 dhe 2024. Kjo kompani shërben për ushtrinë izraelite, duke përfshirë mirëmbajtjen e avionëve luftarakë.

Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre deklaroi për televizionin publik NRK se kjo çështje i ka shkaktuar shqetësim: “Kërkohet sqarim, sepse ajo që lexoj më bën të ndihem në siklet”.

Fondi, i administruar nga Norges Bank Investment Management (NBIM), e rriti pjesëmarrjen në Beit Shemesh nga 1.3% në vitin 2023 në 2.09% në fund të vitit 2024, me vlerë rreth 15.2 milionë dollarë.

Ministri i Financave Jens Stoltenberg tha se banka qendrore do të shqyrtojë të gjitha investimet në kompani izraelite në dritën e situatës aktuale të sigurisë dhe raportimeve të fundit mediatike.

Shefi ekzekutiv i NBIM, Nicolai Tangen, tha se kompania Beit Shemesh nuk është përfshirë në asnjë listë përjashtimi, përfshirë atë të OKB-së dhe këshillit etik të vetë fondit.

Në qershor, parlamenti norvegjez hodhi poshtë një propozim për të detyruar fondin të tërhiqej nga të gjitha kompanitë që operojnë në Bregun Perëndimor. Megjithatë, në fund të vitit 2024, fondi mbante aksione në 65 kompani izraelite me vlerë 1.95 miliardë dollarë.

Fondi ka filluar tashmë të shesë disa nga këto aksione. Në maj u tërhoq nga kompania e karburanteve Paz, për shkak të infrastrukturës së saj të lidhur me vendbanimet, ndërsa në dhjetor u shkëput nga kompania e telekomunikacionit Bezeq, si pjesë e zbatimit të rregullave më të rrepta etike ndaj bizneseve që mbështesin aktivitetin izraelit në territoret e pushtuara.