
Të arrestuarit në kuadër të skandalit financiar që përfshin kompaninë “Bankers Petroleum” u paraqitën sot në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë për të kundërshtuar masat e sigurisë të vendosura më herët nga Gjykata e Fierit.
Në mesin e të pandehurve janë edhe ish-drejtori Leonidha Çobo dhe drejtori aktual, shtetasi kinez Hongping Xiao. Të dhjetë të arrestuarit kërkuan ndryshimin e masës “arrest me burg” për akuzat që përfshijnë mashtrim financiar dhe shpërdorim detyre.
Ndërkohë, përfaqësues të Ambasadës së Kinës në Tiranë, që ndodheshin jashtë ambienteve të gjykatës, nuk u lejuan të marrin pjesë në seancën gjyqësore, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Sipas Prokurorisë, zyrtarët e “Bankers” dyshohet se ngritën një skemë të sofistikuar mashtrimi për të shmangur detyrimet tatimore, duke dëmtuar rëndë financat publike.
Ata akuzohen për pesë vepra penale, përfshirë “krijimin e skemave mashtruese për TVSH”, “fshehjen e të ardhurave”, “pastrimin e parave”, “shpërdorimin e detyrës” dhe “moskryerjen e detyrave nga organet tatimore”.
Hetimet vijojnë në disa pista të tjera që përfshijnë edhe zyrtarë të administratës tatimore dhe institucione shtetërore. Çështja konsiderohet si një nga më të rëndësishmet që po trajton aktualisht drejtësia shqiptare. Gjykata e Apelit pritet të marrë një vendim në ditët në vijim.