Vendosni fjalën kyçe....

Kritika ndaj kryeministrit suedez pasi pranoi se përdor ChatGPT për “mendim të dytë”


Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, është vënë në qendër të kritikave pasi pranoi se përdor rregullisht mjete të inteligjencës artificiale, përfshirë ChatGPT dhe platformën franceze LeChat, për të marrë “mendime të dyta” në ushtrimin e detyrës së tij, përcjell Guardian.

Në një intervistë për gazetën suedeze të biznesit Dagens Industri, Kristersson deklaroi se AI e ndihmon të shohë se “çfarë kanë bërë të tjerët” dhe nëse “duhet të mendojnë të kundërtën”.

Megjithatë, reagimet nuk kanë munguar. Gazeta Aftonbladet e kritikoi ashpër në një editorial, duke thënë se Kristersson ka “rënë pre e psikozës së AI të krijuar nga oligarkët”. Ekspertët e teknologjisë kanë paralajmëruar se përdorimi i AI nga politikanët për çështje qeveritare mund të paraqesë rreziqe të mëdha, veçanërisht kur bëhet fjalë për informacione sensitive.

Zëdhënësi i kryeministrit, Tom Samuelsson, ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për të dhëna të ndjeshme dhe se AI përdoret vetëm “për një ide të përgjithshme”.

Por profesorja e inteligjencës artificiale të përgjegjshme në Universitetin e Umeå-s, Virginia Dignum, theksoi se AI nuk është në gjendje të japë mendime të vlefshme politike dhe se përdorimi i saj mund të çojë në një besim të tepruar në teknologji.

“Sa më shumë të mbështetesh te AI për gjëra të thjeshta, aq më shumë rritet rreziku për mbështetje të verbër. Nuk kemi votuar për ChatGPT,” deklaroi Dignum për Dagens Nyheter.