Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: PD nuk do përsërisë gabimet e 2021-shit, riorganizimi diskutohet pas raportit të OSBE/ODIHR


Deputeti i sapozgjedhur i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi se opozita është e vendosur të mos përsërisë gabimet e së kaluarës, duke iu referuar veçanërisht qasjes së ndjekur në zgjedhjet e vitit 2021.

Në një intervistë për “News24”, ai theksoi se vëmendja kryesore e PD-së është përqendruar te denoncimi i asaj që ai e cilësoi si “farsa elektorale e 11 majit”.

“Gabimin që PD bëri në vitin 2021 nuk do ta përsërisim në vitin 2025. Çdo riorganizim i mundshëm do të vendoset nga forumet më të larta të partisë, jo në mënyrë individuale,” u shpreh Këlliçi.

Sipas tij, PD nuk do të ndërmarrë hapa të nxituar pa pritur raportin final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit. Kjo do të jetë baza për vendimmarrje të mëtejshme, përfshirë edhe kalendarin e protestave apo aksione të tjera politike.

“Deri në publikimin e raportit të OSBE/ODIHR, ne do të fokusohemi te dokumentimi dhe denoncimi i farsës elektorale. Nuk kemi një kalendar protestash për momentin. Vendimet do të diskutohen pas dorëzimit të raportit përfundimtar,” shtoi ai.

Këlliçi nënvizoi se opozita është gjithashtu në pritje të një qëndrimi nga Departamenti Amerikan i Shtetit për zgjedhjet në Shqipëri, ndërsa vendimet e ardhshme politike do të varen edhe nga reagimet ndërkombëtare.

Ai e përshkroi këtë periudhë si një moment reflektimi dhe organizimi, ku Partia Demokratike synon të veprojë në mënyrë të bashkërenduar dhe institucionale.