Vendosni fjalën kyçe....

Holanda ndan 500 milionë euro për të blerë armë amerikane për Ukrainën


Holanda ka njoftuar se do të kontribuojë me 500 milionë euro për blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane për Ukrainën, duke u bërë vendi i parë i NATO-s që merr pjesë në një mekanizëm të ri ndërkombëtar për furnizimin e Kievit me armë. Lajmi u bë i ditur të hënën nga ministri i Mbrojtjes së Holandës, Ruben Brekelmans, përmes një postimi në platformën X.

Paketa e ndihmës do të përfshijë sisteme të armëve amerikane, përfshirë raketa dhe pjesë për sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot, përcjell REL.

“Si aleati i parë i NATO-s, Holanda do të dorëzojë një paketë prej 500 milionë eurosh me sisteme armësh amerikane”, tha ministri Brekelmans.

Kjo nismë mbështet projektin e nisur nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili muajin e kaluar propozoi që Shtetet e Bashkuara të furnizojnë me armë Ukrainën, ndërsa pagesat të mbulohen nga aleatët evropianë. Deri më tani, nuk ishin dhënë detaje konkrete për mënyrën e zbatimit të kësaj skeme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte – njëherësh ish-kryeministër i Holandës – përshëndeti këtë vendim dhe njoftoi se i ka dërguar letër të gjithë vendeve anëtare për t’i inkurajuar që të kontribuojnë në këtë mekanizëm të ri, të quajtur Nisma e NATO-s për Listën e Kërkesave të Prioritizuara të Ukrainës (PURL).

“Kjo është për t’i dhënë Ukrainës pajisjet që i duhen urgjentisht për t’u mbrojtur nga agresioni rus,” deklaroi Rutte.

Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, tha se pritet që gjatë javëve në vijim të njoftohen edhe shumë shtete të tjera që do t’i bashkohen nismës. Sipas tij, shpërndarja e armëve amerikane përmes këtij mekanizmi do të ndodhë me ritëm të përshpejtuar.

“Holandezët janë vetëm të parët. Do të shihni një seri njoftimesh në javët që vijnë,” u shpreh Whitaker.

Nisma do të koordinohet nga NATO dhe do të financohet nga vendet evropiane anëtare të aleancës dhe Kanadaja. Çdo paketë ndihme pritet të jetë në vlerë rreth 500 milionë dollarë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e përshëndeti vendimin holandez duke e quajtur një hap të rëndësishëm drejt përforcimit të mbrojtjes së Evropës nga “terrori rus”.

“Jam sinqerisht mirënjohës për kontributin e konsiderueshëm të Holandës në forcimin e mburojës ajrore të Ukrainës,” tha ai në një reagim në X.