
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka dënuar ashpër incidentin e ndodhur gjatë një ndeshjeje basketbolli në Kumanovë, Maqedonia e Veriut, ku u dëgjuan thirrje raciste dhe fyese ndaj shqiptarëve.
Ndeshja u zhvillua mes ekipeve të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, por u njollos nga një atmosferë e tensionuar dhe fyerje etnike.
Në një reagim të hapur, Spiropali e cilëson këtë ngjarje si të papranueshme dhe një kujtesë të hidhur se rruga drejt një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse kërkon angazhim të vazhdueshëm nga të gjithë.
“Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme,” thekson kryeparlamentarja.
Ajo shton se sporti duhet të përfaqësojë vlera si bashkimi, bashkëpunimi, loja e ndershme dhe respekti, dhe kurrsesi nuk duhet të shfrytëzohet si platformë për gjuhë urrejtjeje, racizëm apo nxitje të konflikteve etnike.
Spiropali vlerëson reagimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut pas këtij incidenti, por nxit edhe një qëndrim më të fuqishëm nga zyrtarët më të lartë të vendit mik.
“Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon,” thekson ajo.
Në përfundim, kryetarja e Kuvendit thekson rëndësinë e sjelljes korrekte në tribunat sportive dhe institucionet publike, duke përsëritur angazhimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve për promovimin e një modeli bashkëjetese dhe tolerancë, larg ndasive që i përkasin së kaluarës.
Reagimi i plotë:
“Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë.
Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit.
Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik.
Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit.
Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen.
Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje.”