Vendosni fjalën kyçe....

OPEC+ vendos rritje tjetër të madhe të prodhimit të naftës në shtator, në përpjekje për të rimarrë pjesën e tregut


OPEC+ ka rënë dakord të rrisë prodhimin e naftës me 547,000 fuçi në ditë për muajin shtator, në vazhdën e një serie rritjesh të shpejta për të rimarrë pjesën e tregut global, ndërsa rriten shqetësimet për ndërprerje të mundshme të furnizimeve për shkak të situatës me Rusinë.

Vendimi i së dielës shënon një kthesë të plotë dhe të parakohshme nga shkurtimet e mëdha që grupi kishte zbatuar më herët, përfshirë një rritje të veçantë për Emiratet e Bashkuara Arabe, me një total prej rreth 2.5 milionë fuçi në ditë, që përbën rreth 2.4% të kërkesës globale për naftë.

Tetë vende anëtare të OPEC+ mbajtën një takim virtual të shkurtër, në një kohë kur SHBA po shton presionin ndaj Indisë që të ndalojë blerjet e naftës ruse, një përpjekje e Uashingtonit për ta detyruar Moskën të rikthehet në tryezën e negociatave për paqen në Ukrainë, përcjell Reuters,

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se dëshiron që kjo të ndodhë deri më 8 gusht.

Në deklaratën pas takimit, OPEC+ theksoi se vendimi u mor për shkak të një ekonomie të shëndoshë dhe stokut të ulët të naftës në treg.

Çmimet e naftës kanë mbetur të larta pavarësisht rritjes së prodhimit nga OPEC+, me naftën Brent që u mbyll pranë nivelit prej 70 dollarësh për fuçi të premten – një rritje krahasuar me nivelin më të ulët të këtij viti, prej 58 dollarësh në prill – e mbështetur pjesërisht nga kërkesa sezonale në rritje.

“Me çmimet e qëndrueshme rreth 70 dollarë për fuçi, OPEC+ ka besim në themelet e tregut,” tha Amrita Sen, bashkëthemeluese e kompanisë “Energy Aspects”, duke shtuar se struktura e tregut po sinjalizon gjithashtu mungesë furnizimesh.

Sipas burimeve brenda OPEC+, tetë vendet anëtare do të takohen sërish më 7 shtator dhe mund të marrin në konsideratë rikthimin e një tjetër niveli të reduktimeve në prodhim – që aktualisht kap shifrën e 1.65 milionë fuçive në ditë – dhe që janë në fuqi deri në fund të vitit të ardhshëm.

OPEC+ përfshin gjithsej 23 vende prodhuese të naftës, përfshirë Rusinë dhe Kazakistanin, dhe kontrollon rreth gjysmën e prodhimit të përgjithshëm të naftës në botë.

Grupi kishte ndërmarrë reduktime të mëdha të prodhimit ndër vite për të mbështetur çmimet në tregjet ndërkombëtare, por këtë vit ndryshoi qasje, duke filluar rritje progresive për të rimarrë pjesën e tregut – të nxitura edhe nga thirrjet e presidentit Trump për të shtuar prodhimin.

Që prej prillit, tetë vendet e OPEC+ kanë rritur prodhimin në mënyrë të njëpasnjëshme: me 138,000 fuçi në ditë në prill, 411,000 në maj, qershor dhe korrik, 548,000 në gusht dhe tani 547,000 në shtator.