
Policia e Shtetit ka zbuluar dhe goditur një grup kriminal të përfshirë në kultivimin, prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike në qarkun e Korçës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Grupi”.
Pas hetimeve të thelluara me metoda speciale të hetimit, autoritetet zbuluan se grupi kriminal kishte kultivuar kanabis në territorin e fshatit Polovisht, në bashkinë Maliq, ndërsa lënda narkotike ishte magazinuar në fshatin Voskop të Korçës, ku kryhej tharja dhe përpunimi, me qëllim trafikimin drejt Greqisë.
Në vijim të operacionit u arrestuan dy persona, të identifikuar si Leonard Xhemollari, 45 vjeç, banues në Maliq dhe Gentian Muço, 48 vjeç, banues në Korçë. Të dy konsiderohen si financues të aktivitetit kriminal.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur dy persona të tjerë, organizatorë të dyshuar të trafikimit, Rexhildo Berberi, 42 vjeç dhe Abidin Guraj, 35 vjeç, të dy banues në Korçë. Sipas Policisë, këta shtetas janë të dyshuar për përfshirje në katër raste të mëparshme të trafikimit të drogës që janë goditur nga autoritetet.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa ambiente, Policia gjeti dhe sekuestroi një sërë pajisjesh dhe provash materiale, përfshirë: uniforma të ngjashme me ato të Policisë, pajisje GPS, kamera dhe mjete regjistrimi të fshehta, targa automjetesh, USB, karta memorie, laptopë, dronë, si dhe kontrata për shitblerje apo përdorim të mjeteve të ndryshme. Po ashtu, në banesën e njërit prej të shpallurve në kërkim u zbulua një ambient i përshtatur për ndërhyrje në automjete.
Operacioni është ende në zhvillim dhe autoritetet janë duke punuar për të identifikuar dhe dokumentuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal.
Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.