
Deputetja demokrate e qarkut Vlorë, Ina Zhupa, gjatë një vizite në njësinë administrative Vergo në Delvinë, ka kërkuar nga qeveria dhe bashkitë përkatëse që të dëmshpërblejnë sa më parë dhe në mënyrë të plotë banorët e dëmtuar nga zjarret që përfshinë disa fshatra të bregut.
Zhupa theksoi se dëmet janë të konsiderueshme, veçanërisht në agrume, ullinj dhe blegtori, dhe se shumë familje ndihen pa shpresë për të ardhmen.
“Ndodhemi në njësinë administrative Vergo, pasi kemi takuar banorët e fshatrave që, fatkeqësisht, u përfshinë nga flakët e zjarrit, të cilat kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në pasurinë e tyre – në agrume, në ullinj, në blegtori,” tha Zhupa.
Ajo kërkoi ngritjen urgjente të një grupi të përbashkët pune, me përfaqësues nga pushteti vendor dhe qendror, për të bërë verifikimin në terren të dëmeve:
“Të kalojë shtëpi më shtëpi dhe të bëjë evidentimin e plotë të dëmeve që ka shkaktuar kjo fatkeqësi e madhe që u ka ndodhur banorëve.”
Zhupa kërkoi dëmshpërblim të plotë dhe të shpejtë:
“Është i rëndësishëm evidentimi, ashtu siç është i rëndësishëm dëmshpërblimi i plotë monetar i banorëve, në mënyrë të tillë që të kenë mundësi të rikuperojnë dhe të vazhdojnë jetesën e tyre në këto fshatra të bekuara nga Zoti, por mesa duket të pamundura për të jetuar në këto kushte që u janë shkaktuar tashmë nga zjarri.”
Deputetja paralajmëroi kundër përsëritjes së të njëjtave dështime në menaxhimin e pasojave:
“Nuk duhet të shohim të njëjtin menaxhim siç ndodhi me zjarret edhe në situatën pas zjarreve.”
Në përfundim, ajo u bëri thirrje institucioneve që t’u qëndrojnë pranë banorëve, për të ruajtur shpresën dhe për të nxitur qëndrimin e tyre në vendlindje:
“Duhet t’u qëndrojmë banorëve në krah, në mënyrë të tillë që të kemi shpresë për këto fshatra, që edhe ata të zgjedhin të qëndrojnë në vazhdimësi në Shqipëri.”