Vendosni fjalën kyçe....

Bulqizë/ Arrestohet 20-vjeçari, qarkullonte me armë zjarri


Policia e Bulqizës ka vënë në pranga një 20-vjeçar, i cili u kap në flagrancë duke qarkulluar i armatosur në aksin rrugor Krastë – Bulqizë, duke rrezikuar sigurinë publike.

Operacioni u zhvillua në kuadër të planit të masave për goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe u kodua “Krasta”. Si rezultat, u arrestua shtetasi O. G., banues në fshatin Peshk, Njësia Administrative Martanesh.

Gjatë kontrollit në automjetin tip “Benz” kamionçinë, që drejtonte 20-vjeçari, efektivët gjetën të fshehur një armë zjarri të llojit pistoletë “Zastava”, me një krehër që mbante 10 fishekë.

Policia bëri të ditur se arma e zjarrit, municioni dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.

Forcat e rendit theksuan se aksionet për kapjen e personave që qarkullojnë të armatosur do të vijojnë me intensitet, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.