
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar pas publikimit të pamjeve ku koshat e mbeturinave janë vendosur në rrugë duke penguar qarkullimin dhe duke bllokuar korsinë e emergjencës në zonën pranë pallateve “Agimi” në Tiranë.
Braçe shprehet se ky problem mund të zgjidhet lehtësisht, por mënyra se si është vepruar — pa njoftuar qytetarët — ka krijuar një situatë të papranueshme dhe ka shkaktuar irritim tek banorët.
“Vetëm në Selitë është e vështirë për të lëvizur koshat. Por pa lajmëruar njerëzit, ndodh kjo që shihni dhe që është një pamje që dëmton pafund. Nuk shkon! Nuk zgjidhet bllokimi i korsisë së emergjencës në këtë mënyrë”, ka shkruar Braçe në një postim në rrjete sociale.
Deputeti thekson se punët publike duhet të bëhen gjithmonë në bashkëpunim me qytetarët, për të shmangur tensionet dhe për të mos i bërë ata padrejtësisht përgjegjës për situata të tilla.