Vendosni fjalën kyçe....

Trump shkarkon kreun e Statistikave të Punës, të emëruar nga administrata Biden



Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar shkarkimin e komisones së Byrosë së Statistikave të Punës (BLS), Erika McEntarfer, pas publikimit të të dhënave për rritjen e vendeve të punës që rezultuan më të dobëta se pritjet dhe me rishikime të konsiderueshme në ulje për muajt e mëparshëm, përcjell Reuters.

McEntarfer ishte emëruar nga ish-presidenti Joe Biden në vitin 2023 dhe u konfirmua nga Senati amerikan një vit më pas. Trump e akuzoi atë për manipulim të të dhënave, ndonëse nuk ka prova për të mbështetur pretendimet e tij.

Në një postim në Truth Social, Trump deklaroi: “Na duhen të dhëna të sakta për punësimin. Kam urdhëruar ekipin tim që të shkarkojë menjëherë këtë të emëruar politike të Biden. Ajo do të zëvendësohet me dikë shumë më të kualifikuar.”

Shkarkimi i saj vjen në një moment kur administrata Trump ka ndërmarrë shkurtimet masive të stafit federal, duke ngjallur shqetësime për cilësinë e të dhënave ekonomike amerikane – prej kohësh të konsideruara standardi i artë. Ndërkohë, Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, ka shpërbërë dy komitete ekspertësh dhe ka sugjeruar përjashtimin e shpenzimeve qeveritare nga llogaritja e PBB-së, me pretendimin se “qeveritë e kanë manipuluar historikisht PBB-në.”

Byroja e Statistikave të Punës ka reduktuar tashmë mbledhjen e të dhënave për çmimet e konsumatorit dhe çmimet e prodhuesit.