Vendosni fjalën kyçe....

SPAK sekuestron 25 pasuri ndaj një grupi kriminal të dënuar në Belgjikë


SPAK ka sekuestruar 25 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme ndaj D.D. dhe familjarëve të tij, të dënuar në Belgjikë për vjedhje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Sekuestrimi u bë në kuadër të një procedimi pasuror në Shqipëri, pasi pasuritë rezultojnë të pajustifikuara dhe të dyshuara si të përfituara nga veprimtari kriminale.

Mes pasurive të sekuestruara janë 9 pasuri të paluajtshme, një subjekt tregtar (“Guard Security”), 6 mjete motorike, rreth 80 mijë euro cash, 52 orë dore, bizhuteri, monedha ari, pajisje elektronike dhe laptopë. Sekuestrimet janë bërë me bashkëpunimin e policisë gjyqësore dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara.

Njoftimi: 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të vendimit nr. 11, datë 16.06.2025 të Gjykatës së Posaçme vendosi sekuestrimin e pasurive në kuadër të procedimit pasuror nr.8 i vitit 2024 ndaj D.D dhe familjarët e tij, D.S., B. A., A. H, L.V., dhe D. H.

Këta shtetas janë subjekte të hetimit pasuror sipas ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar (ligji nr. 10192, datë 03.12.2009) pasi rezultojnë të dënuar në Mbretërinë e Belgjikës  për veprat penale të “Vjedhjes”, në bashkëpunim në formën “Grupit të strukturuar kriminal”, “Grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar në legjslacionit tonë penale sipas neneve 134, 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

Bazuar në dispozitat e ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 janë identifikuar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të personave nën hetim pasuror dhe të personave të lidhur me ta, të cilat sipas hetimeve të deritanishme rezultojnë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe prezumohen se janë rezultat i veprimtarisë kriminale së tyre.

Pasuri të sekuestruara:

Pasuri të paluajtshme: 9

Subjekte tregtare: 1 (“GUARD SECURITY”)

Automjete dhe mjete motorike: 6 (3 automjete + 3 motorë)

Shuma monetare:

Euro: 77,360 €

Lekë: 2,055,000 lekë

Paund britanik: 1,150 £

Orë dore të markave të ndryshme: 52

Bizhuteri: mbi 35 copë

Monedha ari: 32

Pajisje elektronike: 15

Laptopë: 2

iPad: 5

Kamera/aparate fotografike: 8

Theksojmë se sendet me vlerë, si ora, bizhuteri, monedha ari, automjete dhe mjete motorike janë sekuestruar më parë në kuader të ekzekutimit të kontrolleve të banesave të këtyre shtetasve për llogari të kerkesave për ndihme juridike të autoriteteve belge.

Për ekzekutimin e sekuestros u kryen veprimet nga ana e policisë gjyqësore në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, së bashku me Administratorin e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara Tiranë.