Vendosni fjalën kyçe....

Të paktën 69 të vrarë në Gaza teksa prisnin ndihma


Të paktën 69 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në Gaza gjatë 24 orëve të fundit, teksa prisnin ndihma humanitare në pika të shpërndarjes, në një moment kur emisari amerikan Steve Witkoff ndodhet në Izrael për të diskutuar për armëpushimin.

Të mërkurën në mbrëmje, turma njerëzish të uritur ishin mbledhur në pikën kufitare të Zikimit, në pritje të kamionëve me ndihma. Sipas raportimeve, ushtarë izraelitë hapën zjarr ndaj tyre.

Spitali fushor Al-Saraya bëri të ditur se kishte pranuar mbi 100 të plagosur dhe viktima, ndërsa sipas Associated Press, bilanci i të vrarëve pritet të rritet, sipas The Guardian.

Të enjten në mëngjes, 19 persona të tjerë që kërkonin ndihma në Gaza Qendrore dhe në Rafah u vranë nga forcat izraelite pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave.

Sipas autoriteteve të shëndetësisë në Gaza, situata është tashmë në nivele urie masive dhe ka shkaktuar një kolaps të rendit shoqëror. Shtatë fëmijë humbën jetën nga uria të mërkurën, duke e çuar në 154 numrin total të viktimave nga kequshqyerja.

Më shumë se 1,000 persona janë qëlluar me armë ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma nga Fondacioni Humanitar Amerikan për Gazën (GHF) ose prisnin në radhë pranë pikave kufitare. Shumica e këtyre të shtënave janë kryer nga ushtarë izraelitë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka theksuar se mënyra e vetme për të ndalur grabitjet e ndihmave është garantimi i hyrjes së vazhdueshme dhe të mjaftueshme të ushqimeve në Gaza.

Izraeli, i cili kontrollon pikat hyrëse të ndihmave, është akuzuar se ka shkaktuar krizën humanitare përmes bllokadave – akuza që i ka mohuar, ashtu siç ka mohuar ekzistencën e urisë në territor.

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) deklaroi të mërkurën se sasia e ushqimeve që po hyn në Gaza është “larg së qeni e mjaftueshme”.

Ndërsa kriza e urisë thellohet, Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm amerikan dhe bashkëpunëtor i afërt i presidentit Donald Trump, mbërriti në Izrael.

Ai u takua me kryeministrin Benjamin Netanyahu për të diskutuar për rifillimin e bisedimeve për armëpushim. Mediat izraelite raportojnë se Witkoff pritet të vizitojë edhe një qendër shpërndarjeje të ndihmave të GHF në Gaza.

Izraeli ka dërguar një përgjigje ndaj propozimit të fundit të Hamasit për një armëpushim 60-ditor dhe një marrëveshje për shkëmbim pengjesh dhe të burgosurish. Hamas mban ende rreth 50 pengje izraelite, nga të cilët besohet se 20 janë gjallë.

Presidenti amerikan Donald Trump, përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, kërkoi dorëzimin e Hamasit dhe lirimin e menjëhershëm të pengjeve. “Mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund krizës humanitare në Gaza është që Hamas të DORËZOHET DHE TË LIRojë PENGJET!!!” – shkroi ai.

Trump sugjeroi të mërkurën se SHBA mund të bashkëpunojë me Izraelin për ngritjen e pikave të reja shpërndarjeje ushqimi në Gaza, por detajet e planit nuk janë bërë të ditura. Iniciativa e GHF, e mbështetur nga administrata Trump, drejtohet nga një bashkëpunëtor i tij, por ende nuk është e qartë nëse qeveria amerikane do të veprojë përmes këtij mekanizmi privat.

Ndërkohë, presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit është rritur ndjeshëm, sidomos pas pamjeve të njerëzve të uritur që kanë bërë xhiron e botës. Më shumë se një duzinë vendesh kanë dënuar sjelljen e Izraelit në Gaza dhe kanë ndërmarrë hapa për të njohur shtetin palestinez – lëvizje kryesisht simbolike për të sinjalizuar dënimin e veprimeve izraelite.

Kryeministri kanadez Mark Carney deklaroi se Kanadaja pritet të njohë shtetin palestinez në shtator, por me kusht që të ketë reforma brenda Autoritetit Palestinez.

Gjermania, nga ana tjetër, përmes ministrit të Jashtëm Johann Wadephul, bëri thirrje që njohja të vijë në fund të negociatave për një zgjidhje me dy shtete, por paralajmëroi se do të përgjigjet ndaj veprimeve të njëanshme izraelite, duke përmendur rreziqet e aneksimeve të reja.

Të martën, Komisioni Europian propozoi pezullimin e pjesshëm të pjesëmarrjes së Izraelit në programin më prestigjioz kërkimor shkencor të BE-së, si përgjigje ndaj krizës humanitare në Gaza.

Në anën tjetër, Izraeli ka dënuar kritikat ndërkombëtare dhe njohjet e mundshme të shtetit palestinez, duke i cilësuar si veprime që shërbejnë interesave të Hamasit.

Megjithatë, java e fundit ka sjellë kritikat më të forta ndërkombëtare ndaj Izraelit që prej fillimit të luftës në Gaza më 7 tetor 2023 – një situatë që po e vendos qeverinë izraelite përballë izolimit të rritur nëse nuk arrihet një armëpushim.

Bisedimet për armëpushim u ndërprenë javën e kaluar, pasi Izraeli dhe SHBA tërhoqën negociatorët nga Doha, duke fajësuar Hamasin për dështimin e bisedimeve për shkak të kërkesave të reja – pretendim që Hamasi e mohon.

Mediat izraelite raportojnë se nëse Hamasi nuk zbut qëndrimin, Izraeli mund të rivendosë një bllokadë të rreptë ndaj ndihmave dhe të zgjerojë operacionet tokësore në Rripin e Gazës për të ushtruar presion.

Izraeli nisi ofensivën në Gaza pas sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar, kur militantë të Hamasit vranë rreth 1,200 persona në Izrael. Nga ana tjetër, mbi 60,000 palestinezë janë vrarë gjatë ofensivës izraelite, ndërsa pjesa më e madhe e Gazës është shkatërruar.