
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka hedhur poshtë kërkesën e një të pestës së deputetëve të opozitës për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, i cili sjell ndryshime në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”. Ligji, i kundërshtuar nga opozita si antikushtetues, do të mbetet në fuqi pas vendimit të gjykatës.
Gjatë shqyrtimit, Gjykata rrëzoi pretendimet për cenimin e konsultimit publik, mungesën e një raporti financiar dhe papajtueshmërinë me legjislacionin e BE-së. Në disa prej çështjeve, si ndikimi financiar dhe përputhshmëria me MSA-në, gjyqtarët nuk arritën shumicën e nevojshme për të marrë një vendim shfuqizues.
Gjykata vlerësoi gjithashtu se ligji i ri është një ligj kuadër që nuk prodhon pasoja të menjëhershme dhe nuk bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë për mbrojtjen e mjedisit. Vendimi i arsyetuar pritet të publikohet brenda afateve ligjore.
Kjo është një goditje për opozitën, e cila e ka konsideruar këtë ligj si hap për liberalizimin e aktiviteteve ekonomike në zonat e mbrojtura, ndërsa mazhoranca e ka përshkruar atë si një përmirësim të administrimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.