
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, mori pjesë sot në Konferencën e Gjashtë Botërore të Kryetarëve të Parlamenteve, e cila po mbahet në Pallatin e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, nën organizimin e Unionit Ndërparlamentar.
Në fjalën e saj para përfaqësuesve të parlamenteve nga e gjithë bota, Spiropali theksoi se Shqipëria është e përkushtuar ndaj “paqes, drejtësisë dhe mirëqenies, përmes diplomacisë parlamentare dhe bashkëpunimit shumëpalësh”.
“Pa parlamentarë të përkushtuar, multilateralizmi mbetet një teori. Me veprim të përbashkët dhe të koordinuar, ai bëhet mjet i fuqishëm për ndryshim”, deklaroi Spiropali, duke i bërë thirrje parlamenteve të luajnë një rol më aktiv në përballimin e sfidave globale.
Ajo kujtoi figurën e Simone Veil, ish-presidente e Parlamentit Evropian dhe një ikonë e rezistencës dhe ndërtimit evropian: “Veil besonte se pa një solidaritet gjithnjë e më të madh, asnjë nga vendet tona nuk do të mund të ruajë fuqinë, pavarësinë e ndoshta edhe ekzistencën e vet”. Kjo ide, sipas Spiropalit, mbetet një busull morale për të gjitha demokracitë që aspirojnë paqe dhe stabilitet.
Duke folur për sfidat aktuale globale, ajo nënvizoi: “Nga kufiri lindor i BE-së, në Lindjen e Mesme, në Afrikë e më gjerë, bota po përballet me një krizë të rëndë dhe trazira të mëdha. Forcat e përçarjes, konfliktit të dhunshëm dhe pabarazisë po vënë në provë vlerat tona të përbashkëta”.
Kryeparlamentarja shqiptare përmendi rolin e Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë, duke theksuar se “Kuvendi i Shqipërisë ishte një ndër parlamentet e para që ka miratuar rezolutën për mbështetjen e sovranitetit të Ukrainës dhe mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare”.
Ajo theksoi gjithashtu kontributin e vendit si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe si pjesë e Këshillit të të Drejtave të Njeriut.
“Ne jemi të hapur ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar, dypalësh e shumëpalësh, me qeveri të vendeve aleate dhe fqinje, si dhe me organizata ndërkombëtare. Këtë e dëshmon edhe fakti se rreth 37% e akteve ligjore të miratuara nga Kuvendi ynë kanë qenë marrëveshje ndërkombëtare”, tha Spiropali.
Ajo vlerësoi gjithashtu rëndësinë e diplomacisë parlamentare si një formë e fuqishme e “soft power”, duke thënë: “Ne në Kuvendin e Shqipërisë e konsiderojmë diplomacinë parlamentare si një mjet për mbrojtjen e sigurisë, arritjen e paqes dhe garantimin e prosperitetit të kombeve dhe njerëzve tanë”.
Në përmbyllje të fjalës së saj, Spiropali theksoi nevojën për veprim konkret dhe angazhim të ndërsjellë për të ndërtuar një botë më të drejtë dhe më paqësore: “Kjo konferencë është një thirrje për veprim, për të garantuar që kuadri ynë ligjor dhe politikat tona publike të kontribuojnë realisht për krijimin e një rendi botëror më të drejtë dhe më të qëndrueshëm”.
Konferenca e Unionit Ndërparlamentar në Gjenevë po zhvillohet në një prej sallave më historike të diplomacisë ndërkombëtare, dhe përveç fjalës në sesionin plenar, Spiropali do të zhvillojë edhe takime bilaterale me homologë nga Gjermania, Suedia, Çekia, Gjeorgjia dhe Izraeli.