
Më shumë se 200 kundërshtarë të regjimit të Vladimir Putinit, përfshirë ish-të burgosur politikë dhe kritikë të njohur të Kremlinit, kanë reaguar me zemërim ndaj pjesëmarrjes së një delegacioni të nivelit të lartë rus në një konferencë ndërparlamentare në Gjenevë, Zvicër. Përmes një letre të hapur, ata e kanë akuzuar Zvicrën dhe Evropën se po mirëpresin “kriminelë lufte” në kohën kur Rusia vazhdon agresionin e saj ushtarak ndaj Ukrainës, përcjell REL.
Delegacioni rus, i kryesuar nga Valentina Matvienko – kryetare e Dhomës së Lartë të Parlamentit – mbërriti në Gjenevë për të marrë pjesë në një takim treditor të organizuar nga Unioni Ndërparlamentar (IPU). Në përbërje të delegacionit ishin edhe figura të tjera kyçe të regjimit, si Pjotr Tolstoi dhe Leonid Slutsky, të gjithë nën sanksione të BE-së dhe institucioneve ndërkombëtare për rolin e tyre në mbështetjen e luftës në Ukrainë.
Letra e hapur, e nënshkruar nga figura si Vladimir Kara-Murza, Oleg Orlov dhe Ilya Yashin, e dënon pjesëmarrjen e delegacionit rus, duke e quajtur një tentativë për të normalizuar marrëdhëniet me një regjim që vazhdon të kryejë krime lufte dhe shtyp opozitën brenda vendit. Ata e konsiderojnë pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Moskës si një fyerje ndaj viktimave të luftës dhe një hap të rrezikshëm drejt relativizimit të agresionit rus.
Zvicra, nga ana e saj, u mbrojt duke thënë se si shtet mikpritës i organizatave ndërkombëtare ka detyrimin ligjor të lehtësojë punën e tyre dhe se mund të japë përjashtime nga ndalimet e udhëtimit kur bëhet fjalë për pjesëmarrje në ngjarje ndërkombëtare.
Reagimi i autoriteteve ukrainase ka qenë gjithashtu i ashpër, duke dënuar ashpërsisht praninë e zyrtarëve rusë në këtë konferencë, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon me pasoja shkatërrimtare për popullsinë civile.