
Kreu i PD-së akuzoi sot kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij për draftin e Kodit të ri Penal.
Ai tha se kodi do dyfishojë dhunën ligjore ndaj qytetarëve të cilët do burgosen për parkim të gabuar, për mospagesën e faturës së dritave e të ujit, për ndërtime në tokën e tyre ndërsa do ofron përgjysmim të dënimit për zyrtarët abuzivë.
“Narkoshteti nuk mund të mos hartonte narkokodin. Dje në një deklaratë publike, Prokurori i Përgjithshëm me kurajo denoncoi faktin se institucioni i tij apo ai si përfaqësues i akuzës në Republikën e Shqipërisë, nuk kishte asnjë dijeni për kodin Rama-Ulsiu. Kur unë u deklarova se ai ka dalë nga shpellat e mafies, sigurisht që pati njerëz të cilët e përcollën me habi. Por ja pra, unë u them të gjithë atyre që u habitën, tani që Prokurori i Përgjithshëm deklaron se institucioni i tij as që është pyetur ndonjëherë as për konsultë, as për mendim, kuptoni ju se çfarë përfaqëson kodi që të vërtetë shënon pothuaj dyfishimin e dhunës ligjore mbi qytetarët. Burg për parkime, burg për faturat e dritave, burg për faturat e ujit, burg për ndërtimin në tokën tënde, në truallin tënd. Pra, dhe përgjysmim i dënimeve për zyrtarët abuzivë. Atentat madhor kundër fjalës së lirë, mendimit të lirë. Shkohet në atë shkallë sa bëhet një nen për të mbrojtur Altin Dumanin dhe Irena Gjokën.” – tha Berisha.