Vendosni fjalën kyçe....

Vrau gruan në Pogradec dhe i vuri flakën banesës, arrestohet 31-vjeçari


Policia e Korçës ka arrestuar një 31-vjeçar, autor i dyshuar i vrasjes së një 52-vjeçareje në Pogradec.

Fillimisht ngjarja u raportua si aksidentale, por hetimet zbuluan se viktima ishte goditur me thikë dhe më pas banesa ishte djegur për të fshehur krimin.

Autori dyshohet se kishte një lidhje intime me viktimën dhe krimi ndodhi në orët e para të mëngjesit të 28 korrikut. 

Njoftimi:

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhen rrethanat dhe autorësia e ngjarjes së ndodhur dje, në Pogradec.

Vrau 52-vjeçaren, me mjet prerës thikë, në banesën e saj, dhe më pas i vuri zjarrin banesës, arrestohet 31-vjeçari.

Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes së ngjarjes së ndodhur më datë 28.07.2025, në lagjen nr. 1, Pogradec, e cila fillimisht u raportua si aksidentale pasi u dyshua se 52-vjeçarja kishte humbur jetën nga asfiksia gjatë djegies së banesës së saj.

Shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve hetimore dhe këqyrjes së jashtme të trupit të pajetë, kanë krijuar dyshime se shkaku i humbjes së jetës së 52-vjeçares nuk ishte asfiksia, sepse në trupin e saj konstatuan dëmtime të dyshuara të shkaktuara me mjet prerës (thikë).

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera në drejtimin e Prokurorisë e Korçës, bazuar dhe në pamjet filmike, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit I. S., 31 vjeç, banues në Pogradec, i cili dyshohet se ka patur lidhje intime me 52-vjeçaren, prej 3 vitesh.

Shtetasi I. S. dyshohet se ka vrarë me thikë, shtetasen K. T., 52 vjeçe, i ka vënë zjarrin banesës së saj dhe është larguar nga banesa, rreth orës 05:00.

Në përfundim të veprimeve është arrestuar në flagrancë shtetasi I. S., 31 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçë, për veprime të mëtejshme.