
Ekzekutivja e lartë e Blackstone, Wesley LePatner, e cila drejtonte fondin e pasurive të paluajtshme prej 53 miliardë dollarësh të njërës prej kompanive më të fuqishmë të botës, u vra të hënën në të shtënat në selinë e firmës në Manhattan, Nju Jork.
“Fjalët nuk mund ta shprehin tronditjen që ndiejmë. ëesley ishte një anëtare e dashur e familjes Blackstone dhe do na mungojë shumë”, tha kompania në një deklaratë me email të martën.
“Ajo ishte e shkëlqyer, pasionante, e ngrohtë, bujare dhe thellësisht e respektuar brenda firmës sonë dhe më gjerë.”
Autori vrau veten dhe katër persona të tjerë, përfshirë LePatner, 43 vjeç, në një seri të shtënash në 345 Park Avenue në Manhattan të hënën. Dy oficerë të lartë të forcave të zbatimit të ligjit thanë se i dyshuari kishte në shënjestër zyrën e Ligës Kombëtare të Futbollit, por përfundoi gabimisht në katin e një kompanie tjetër, shkruan Bloomberg.
LePatner, e cila iu bashkua në vitin 2014 me kompaninë, ishte drejtuese e biznesit kryesor të pasurive të patundshme të Blackstone, një degë e madhe në administratorin e aseteve. Ajo u ngjit me shpejtësi në radhët e kompanisë ndërsa biznesi u rrit, dhe këtë vit mori rolin e drejtoreshës ekzekutive të Blackstone Real Estate Income Trust, një fond pronash me investime në qendra të dhënash, apartamente me qira dhe magazina.
Ajo kaloi më shumë se një dekadë në Goldman Sachs Group Inc. Ajo ka shërbyer në bordet e Muzeut Metropolitan të Artit, Federatës UJA të Nju Jorkut dhe Këshillit të Bibliotekës së Universitetit Yale, dhe është anëtare e Bordit Këshillimor të Guvernatorëve të NAREIT.