
Një 30-vjeçar është arrestuar nga Policia e Beratit, pasi kishte ndërtuar pa leje një objekt trekatësh që ishte planifikuar të funksiononte si hotel.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ndërtesa ndodhej në lagjen “Barrikadë” dhe ishte identifikuar gjatë kontrolleve të zhvilluara në terren pas informacioneve operative.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në kuadër të masave për parandalimin dhe goditjen e ndërtimeve të paligjshme, kryen kontrolle në zonën ku u konstatua se shtetasi A. G., 30 vjeç, kishte ndërtuar një objekt trekatësh, të destinuar si hotel, pa lejet përkatëse,” thuhet në deklaratën e Policisë.
Shtetasi A. G. u arrestua në flagrancë dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme, nën akuzën e “Ndërtimit të paligjshëm”.