Vendosni fjalën kyçe....

Tajlanda dhe Kamboxhia bien dakord për armëpushim të menjëhershëm pas pesë ditësh luftë



Pas pesë ditësh përleshjesh të ashpra në kufirin mes Tajlandës dhe Kamboxhias, që lanë pas të paktën 33 viktima dhe detyruan qindra mijëra persona të largohen nga shtëpitë e tyre, të dy vendet kanë rënë dakord për një
armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte, përcjell BBC.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri malajzian Anwar Ibrahim, i shoqëruar nga homologët tajlandez dhe kamboxhian, duke nënvizuar se ky ishte “një hap vendimtar drejt uljes së tensioneve dhe rikthimit të paqes”. Armëpushimi do të hyjë në fuqi në mesnatë.

Tajlanda fillimisht kishte refuzuar ndërmjetësimin malajzian, por pranoi pas një deklarate të fortë të presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi se negociatat për tarifat tregtare nuk do të vazhdonin pa ndalur luftimet.

Tensionet mes dy vendeve u përshkallëzuan në maj, pasi një ushtar kamboxhian u vra në një përplasje. Më pas, Tajlanda kufizoi lëvizjen e qytetarëve dhe turistëve drejt Kamboxhias, ndërsa kjo e fundit ndaloi importet e disa produkteve tajlandeze, përfshirë fruta, energji elektrike dhe internet.

Situata u përkeqësua javën e kaluar kur një ushtar tajlandez humbi këmbën nga një minë, çka çoi në mbylljen e disa pikave kufitare dhe dëbimin e ambasadorëve përkatës. Të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për nisjen e luftimeve, të cilat kulmuan me shkëmbime zjarri të enjten e kaluar.

Raketat dhe predhat kanë shkaktuar viktima të shumta në radhët e civilëve, kryesisht në anën tajlandeze. Kamboxhia raportoi se 13 vetë janë vrarë, përfshirë tetë civilë, ndërsa Tajlanda tha se shumica e viktimave të saj ishin civilë në fshatra të goditura nga raketat.

Gjatë bisedimeve për paqe të zhvilluara në Kuala Lumpur, luftime të shpërndara vazhduan në vijën e frontit. Anwar tha se vendet e ASEAN-it do të ndihmojnë në monitorimin e armëpushimit, ndërsa theksoi nevojën për tërheqjen e forcave nga zona kufitare dhe pranimin e një vëzhgimi të pavarur.

Kryeministri kamboxhian Hun Manet e përshkroi takimin si “shumë të mirë” dhe shprehu shpresën se armëpushimi do të sjellë fundin e dhunës. Ndërkohë, kryeministri i përkohshëm i Tajlandës, Phumtham Wechayachai, premtoi respektimin e marrëveshjes.

Ndërhyrja e SHBA-së duket se ka qenë vendimtare, pasi të dyja vendet varen nga eksportet drejt këtij tregu dhe rrezikonin të përballeshin me tarifa të rënda 36% pa një marrëveshje. Trump paralajmëroi të shtunën në mbrëmje se negociatat tregtare do të ndërpriteshin nëse luftimet nuk ndalonin menjëherë.

Megjithatë, ruajtja e armëpushimit pritet të jetë e vështirë, për shkak të mungesës së besimit mes ushtrive dhe ngritjes së ndjenjave nacionaliste.

Evakuimet masive vazhdojnë: Tajlanda ka strehuar afro 140 mijë civilë në shtatë provinca, ndërsa Kamboxhia raportoi se rreth 135 mijë persona janë zhvendosur nga zonat kufitare.