Vendosni fjalën kyçe....

Parkimi në rrugë e korsi të dedikuara, procedohen 54 drejtues mjetesh në Tiranë, 65 mjete të bllokuara


Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar aksionin për ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që pengojnë ose bllokojnë lëvizjen e makinave të të tjera ose qytetarëve.

Gjatë javës së shkuar janë proceduar 54 qytetarë për parkim të gabuar në rrugë e korsi të dedikuara, 39 janë arrestuar për vepra të ndryshme penale si dhe janë marrë me karroatrec 65 mjete.

Njoftimi i policisë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet, të mbështetura edhe nga denoncimet e qytetarëve në numrin 112, për të ndëshkuar çdo rast që cënon sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në rrugë.

Në këtë kuadër, gjatë javës:

– 54 shtetas janë proceduar penalisht, në zbatim të nenit 293 të Kodit Penal, për parkim të gabuar në rrugë dhe korsi të dedikuara për emergjencat, biçikletat, këmbësorët dhe transportin publik;

– 39 shtetas janë arrestuar/proceduar për vepra të ndryshme penale;

– 65 automjete janë bllokuar dhe tërhequr me mjet ngritës.

Kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë në çdo kohë, me fokus verifikimin dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje që cenon sigurinë rrugore.

Policia Rrugore apelon sërish për drejtuesit e automjeteve:

Respektoni sinjalistikën rrugore dhe parkoni vetëm në vendet e lejuara, për të mos penguar qarkullimin dhe për të garantuar sigurinë për të gjithë përdoruesit e rrugës.