Vendosni fjalën kyçe....

“Kumbari” i Inteligjencës Artificiale jep alarmin: Bashkëpunim global sa më shpejt, rrezikojmë shumë


“Kumbari” i inteligjencës artificiale dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqen, Geoffrey Hinton, u ka kërkuar qeverive në mbarë botën të bashkëpunojnë në trajnimin e sistemeve të inteligjencës artificiale për të mos dëmtuar njerëzimin, duke paralajmëruar se teknologjia që përparon me shpejtësi së shpejti ka të ngjarë të tejkalojë inteligjencën njerëzore.

Duke folur në Konferencën Botërore të Inteligjencës Artificiale (WAIC) në Shangai të shtunën, Hinton tha se pavarësisht interesave të ndryshme kombëtare, asnjë vend nuk dëshiron që inteligjenca artificiale të mbizotërojë njerëzimin.

Ai vuri në dukje se bashkëpunimi ndërkombëtar është i pamundur në përdorimin ofensiv të inteligjencës artificiale – siç janë “sulmet kibernetike, armët vdekjeprurëse autonome ose videot e rreme për manipulimin e opinionit publik”, shkruan RT.

Megjithatë, kombet mund të formojnë një “rrjet institucionesh” për të udhëhequr zhvillimin e një inteligjence artificiale shumë të zgjuar “që nuk dëshiron të heqë qafe njerëzit”, shtoi Hinton. Ai e krahasoi këtë bashkëpunim të propozuar me bashkëpunimin sovjeto-amerikan për mospërhapjen bërthamore gjatë Luftës së Ftohtë.

Hinton, i referuar shpesh si “Kumbari i IA-së”, e krahasoi zhvillimin e IA-së me “rritjen e një këlyshi tigri” që mund të bëhet i rrezikshëm pasi të arrijë moshën madhore.

“Ka vetëm dy mundësi nëse keni një këlysh tigri si kafshë shtëpiake. Ose do përpiqeni ta stërvitni në mënyrë që mos dëshirojë kurrë t’ju vrasë, ose duhet ta hiqni qafe, tha shkencëtari.

Ai shpjegoi se IA ka të ngjarë të kërkojë gjithnjë e më shumë kontroll në mënyrë që të arrijë detyrat e saj të caktuara ndërsa bëhet më inteligjente, dhe thjesht “fikja e saj” kur ajo të tejkalojë njerëzimin nuk do jetë një mundësi.

“Ne do jemi si trevjeçarë kurse ata do jenë si të rritur”, tha Hinton.

Të mërkurën, Shtëpia e Bardhë njoftoi “planin e saj të veprimit” për të arritur “mbizotërimin global” në IA përmes investimeve, subvencioneve dhe heqjes së kufizimeve ligjore mbi zhvillimin e teknologjisë.

Pekini ka njoftuar qëllimin e tij për të krijuar një organizatë për të bashkërenduar bashkëpunimin ndërkombëtar mbi IA-në.

“Ne duhet të forcojmë bashkërendimin për të formuar një kornizë globale të qeverisjes së IA-së”, tha kryeministri kinez Li Qiang në WAIC të shtunën.