
Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) ka reaguar sot përmes një deklarate zyrtare, duke ngritur shqetësime mbi vështirësitë e hasura gjatë dorëzimit të pasqyrave financiare përmes platformave digjitale shtetërore, si Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) dhe portali e-Albania.
Sipas APL, pavarësisht rëndësisë së dixhitalizimit të shërbimeve publike, gjatë muajit korrik janë konstatuar një sërë problemesh teknike që kanë penguar procesin e raportimit financiar dhe kanë krijuar pasiguri për profesionistët.
Ndër sfidat kryesore të evidentuara janë:
ngarkesa e lartë e sistemit dhe ndërprerjet e papritura në momentet kyçe të dorëzimit të dokumenteve;
probleme me nënshkrimin elektronik edhe kur certifikatat janë funksionale;
mungesa e informacionit zyrtar mbi problemet teknike dhe kohën e zgjidhjes;
penalitete automatike për subjektet që kanë hasur pengesa teknike të paarsyeshme.
Në këtë kuadër, APL ka paraqitur disa propozime konkrete si: “komunikim më të qartë dhe të përditësuar nga institucionet publike mbi problematikat dhe afatet e rikuperimit të sistemit;
Shtyrjen e afatit ligjor për dorëzimin e pasqyrave financiare me të paktën 7 ditë kalendarike, pa penalitete për përdoruesit e prekur;
Krijimin e një kanali të dedikuar për raportimin e ankesave teknike dhe për marrjen e përgjigjeve të shpejta të bazuara në provat digjitale.”
APL shprehet se mbetet e angazhuar për të kontribuar në mënyrë konstruktive në përmirësimin e shërbimeve publike digjitale, duke theksuar se përmes një bashkëpunimi të hapur dhe veprimesh konkrete mund të sigurohet një proces raportimi më i drejtë dhe i besueshëm.
Postimi:
📌 DEKLARATË ZYRTARE
Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL)
Tiranë, 28 Korrik 2025
Sfidat e Raportimit Financiar në Platformat Digjitale, Nevoja për Bashkëpunim dhe Përmirësim të Procesit
Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) dëshiron të sjellë në vëmendje disa sfida të rëndësishme që janë evidentuar gjatë periudhës së dorëzimit të pasqyrave financiare përmes platformave digjitale shtetërore, veçanërisht nëpërmjet integrimit të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe sistemit qendror e-Albania.
Këto platforma përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të administratës publike dhe lehtësimit të raportimit për bizneset dhe profesionistët. Megjithatë, gjatë muajit korrik, janë shfaqur shumë vështirësi teknike që kanë ndikuar në përmbushjen e afateve ligjore dhe kanë krijuar pasiguri te përdoruesit profesionistë, si kontabilistët, audituesit dhe sipërmarrësit.
Ndër sfidat e konstatuara përmendim:
1. Ngarkesën e lartë të sistemit dhe ndërprerjet e papritura në momente kyçe të ngarkimit të dokumentacionit financiar;
2. Probleme me nënshkrimin elektronik, edhe kur pajisjet dhe certifikatat janë funksionale;
3. Mungesë informacioni zyrtar në lidhje me shkakun e vonesave dhe kohën e rikuperimit të plotë të funksionalitetit;
4. Rrezikun e penaliteteve automatike për subjektet, pavarësisht se vonesat kanë ardhur për shkak të vështirësive teknike të platformës.
APL shpreh vlerësimin për përpjekjet e institucioneve për dixhitalizimin e shërbimeve publike dhe nënvizon rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet palëve për të rritur besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e këtyre sistemeve.
🟢 Në këtë frymë bashkëpunimi, propozojmë:
1. Një komunikim më të qartë dhe të përditësuar nga institucionet përgjegjëse mbi problematikat dhe afatet e rikthimit në funksion të plotë;
2. Marrjen në konsideratë të një shtyrjeje të afatit ligjor për dorëzimin e pasqyrave financiare me të paktën 7 ditë kalendarike, pa penalitete për përdoruesit që nuk kanë mundur të dorëzojnë dokumentacionin për shkak të vështirësive teknike;
3. Krijimin e një kanali të dedikuar për raportimin dhe menaxhimin e ankesave teknike, me përgjigje të shpejta dhe njohje të provave dixhitale.
🔍 APL mbetet e angazhuar për të kontribuar me sugjerime konkrete, për të ndarë eksperiencën e profesionistëve të saj dhe për të qenë partnere konstruktive në përmirësimin e shërbimeve digjitale publike.
Besojmë se përmes një komunikimi të hapur dhe veprimesh të përbashkëta, mund të garantojmë një raportim financiar më të drejtë, më të qartë dhe më të besueshëm për të gjitha palët e përfshira.