Vendosni fjalën kyçe....

Turist portugez zhduket në det në Sarandë, vijojnë kërkimet nga policia


Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur pasditen e së shtunës në Sarandë, ku një shtetas portugez 57-vjeç, që po pushonte me miq në zonën e njohur si “Buka e Vivarit”, është zhdukur pasi hyri në det për të notuar dhe nuk u kthye më në breg.

Sipas të dhënave zyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00. Pas alarmit të dhënë nga miqtë e tij, forcat e Policisë Kufitare të Sarandës dhe patrulla të tjera janë vënë menjëherë në kërkim të turistit, duke përdorur mjete nga deti dhe toka.

“Në afërsi të lagunës, në vendin e quajtur ‘Buka e Vivarit’, shtetasi portugez A. G., 57 vjeç, që ndodhej me disa miq të tij, nuk është parë më që nga momenti që ka hyrë në det për të notuar”, njoftoi policia.

Në terren ndodhen edhe grupet hetimore të ngritura nga Komisariati i Policisë Sarandë, të cilat po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa kërkimet për gjetjen e tij po vijojnë pa ndërprerje.