Vendosni fjalën kyçe....

Sarandë/ 20-vjeçari nga Maqedonia gjendet i pajetë në banesë


Një ngjarje e rëndë është shënuar në Sarandë, ku një 20-vjeçar nga Maqedonia është gjetur i pajetë në banesën ku po qëndronte për pushime.

Viktima është identifikuar si O. J., ndërsa trupi i tij u gjet pa shenja jete nga familjarët mëngjesin e datës 26 korrik, në lagjen nr. 1 të qytetit.

Sipas njoftimit të policisë, nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune në trupin e të ndjerit.

Dyshohet se ai ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale, megjithëse mosha e re e viktimës ka ngritur pikëpyetje për ekspertët e hetimit, të cilët po vijojnë punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

 

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale për vlerësim, pasi më datë 26.07.2025, në lagjen nr. 1, Sarandë, në banesën ku qëndronte gjatë pushimeve, është gjetur pa shenja jete nga familjarët, shtetasi O. J., 20 vjeç, banues në Maqedoni. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune, dyshohet se 20 vjeçari ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale.