
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se armëpushimi me Izraelin u arrit pas një telefonate të tij me të dërguarin e posaçëm të SHBA për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Sipas Araghchit, kjo ndërhyrje çoi në një postim të presidentit Donald Trump dhe më pas në anulimin e një sulmi ajror izraelit ndaj Iranit.
“Entiteti sionist pretendoi se Irani e kishte shkelur marrëveshjen dhe nisi avionët. I dërgova një mesazh Witkoff-it duke i thënë se Izraeli po shpikte justifikime. Dhe më pas e patë vetë – Trump postoi në Twitter dhe ndaloi sulmin,” deklaroi Araghchi në një intervistë për agjencinë shtetërore iraniane SNN, përcjell Ynet.
Sipas tij, marrëveshja për armëpushim u shpall nga Trump më 23 qershor dhe parashikonte që Irani të ndalonte i pari zjarrin në orën 07:00 të mëngjesit të 24 qershorit, ndërsa Izraeli do t’i bashkohej 12 orë më pas.
Por në orën 10:25 të mëngjesit, Irani lëshoi një breshëri raketash, përfshirë një goditje në qytetin Beersheba ku humbën jetën katër persona, çka Tel Avivi e cilësoi si shkelje të armëpushimit dhe kërcënoi me kundërpërgjigje.
Megjithatë, pas një bisede mes Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, sulmi izraelit u kufizua vetëm në një goditje simbolike ndaj një radari, edhe pse avionët luftarakë kishin nisur drejt objektivave në Iran.
Araghchi tha gjithashtu se kishte pasur një “keqkuptim” për kohën e saktë të fillimit të armëpushimit dhe se “konfuzioni” mes tij dhe forcave iraniane u zgjidh përmes një telefonate.
Ai shtoi se rreth ditës së tetë apo të nëntë të luftës, Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare të Iranit mori vendimin strategjik që, nëse Izraeli do të kërkonte një armëpushim pa parakushte, Irani do ta pranonte.
“Vendimi u mor nga një pozicion force,” tha Araghchi, duke pretenduar se Irani kishte vepruar në vetëmbrojtje dhe jo në sulm.
Sipas tij, pas marrjes së sinjaleve se Izraeli ishte i gatshëm për një armëpushim, ai konsultoi komandantin e Gardës Revolucionare dhe zyrtarë të tjerë, dhe pas miratimit përfundimtar, shpalli praninë e Iranit për ndalimin e luftës me kusht që edhe pala tjetër të ndalte sulmet.