
Kreu i Emergjencave Civile Haki çako pohoi sot se falë ndryshimit të motit, vendi është në situatë të favorshme për sa i përket gjendjes së zjarreve në vend.
Ai pohoi se gjendja është nën kontroll falë punës së zjarrfikësve, forcave të armatosura dhe punonjësit të AKMC-s (Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile).
Çako falënderoi gjithashtu ekuipazhin hungarez që prej disa ditësh ndihmoi në shuarjen e flakëve.
“Aktualisht, situata e zjarreve është në kontroll. Kanë qenë dy ditë shumë të ngarkuara, dy ditë dhe netë, sidomos mbrëmja dhe nata ka pasur një intensitet të jashtëzakonshëm zjarresh, ç’ka ka bërë të domosdoshme aktivizimin dhe organizimin e të gjithë forcave të strukturave operacionale të nivelit vendor, qendror, të forcave të armatosura të policisë së shtetit dhe gjithçka ka qenë e nevojshme, ashtu sikurse aktualisht vazhdojnë të jenë në operim në terren. Vlen të theksohet fakti që dita e sotme është me një përmirësim të konsiderueshëm të vatrave të zjarrit, ndonëse kemi ende një numër të madh të tyre, po monitorohen me forca të shumta. Dhe falë ndryshimit edhe të kohës, jemi në një situatë krejt të favorizueshme që shpresojmë ta menaxhojmë në nivel kombëtar pa dëme dhe rreziqe për qytetarët tanë.” – tha ndër të tjera çako.