Vendosni fjalën kyçe....

Akuzohet se mashtroi 20-vjeçaren ruse dhe e detyroi të prostituojë, pranga 46-vjecarit në Durrës


Një 46-vjeçar është arrestuar në Durrës pasi akuzohet se ka shfrytëzuar si prostitutë një 20-vjeçare nga Rusia.

Sipas policisë, e reja është futur në vend në mënyrë të paligjshme në tetor 2023 nga Mali i Zi. Dyshohet se i arrestuari Klodian Domi e kishte mashtruar të renë se do e punësonte si kamariere dhe më pas përmes kërcënimeve e dhunës e kishte shfrytëzuar për prostitucion.

Shtetasja ruse është detyruar të ofrojë shërbime seksuale në hotele të ndryshme, kundrejt pagesave nga 250 deri në 300 euro, të cilat i përfitonte i arrestuari.

Gjatë operacionit për arrestimin e tij, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 armë gjahu teke e markës “KralArms”, 2 palë dylbi dhe 3 aparate celularë.

Në lidhje me këtë rast është shpallur në kërkim edhe shtetasi E. S., 39 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si i implikuar në aktivitetin kriminal.